Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në lumin Danub, në kryeqytetin hungarez, Budapest.

Në bordin e varkës ishin 33 persona, shumica e të cilëve turistë nga Koreja e Jugut, në çastin kur ajo u godit nga një tjetër mjet lundrues teksa ankorohej, njofton agjencia e lajmeve “MTI”. Incidenti është regjistruar rreth orës 22:00 të së mërkurës.

Lumi Danub, një prej destinacioneve më tërheqëse për turistët, ishte fryrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar edhe rryma të forta. Varka e përmbysur, e identifikuar si “Hableany” (Sirena), kishte dy kuverta dhe një kapacitet prej 45 personash për lundrime turistike.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se 19 koreano-jugorë, të paktën një fëmijë mes tyre, nuk janë gjetur ende, ndërsa shtoi se qeveria ka planifikuar të dërgojë një ekip zyrtarësh në Hungari, ndërsa për familjarët e viktimave do të ofrohet edhe ndihmë këshillimi.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim vijuan deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.