Një person është mbytur pasditen e sotme në plazhin e “Pishë Poros” në Fier, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Mësohet se i mbytur ka mbetur 60-vjeçari, Fiqo Rexhepi.
Ndërsa 47-vjeçari, Arben Alizoti i cili ka arritur të shpëtojë, ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.
Ishin pushuesit pranë tyre që i dhanë ndihmën e parë dhe më pas punonjësit e Policisë që patrullojnë në bregdet.
Njoftimi i Policisë:
Pishë Poro, Darëzezë
Sot rreth orës 17:00, në plazhin publik në Pishë Poro, Darëzezë, shtetasit A. A., 47 vjeç dhe F. R., 60 vjeç, të dy banues në Fier, duke u larë në det kanë rrezikuar të mbyten.
Pushuesit që ishin pranë tyre dhe më pas punonjësit e Policisë që patrullojnë në bregdet, u kanë dhënë ndihmën e parë dhe i kanë çuar me ambulancë në spitalin e Fierit.
60- vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital ndërsa 47-vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





