Krujë, 4 shtator 2014 – Mbytja e një foshnje të porsalindur dhe varrosja në oborrin e shtëpisë nga vetë nëna e tij tronditi jo pak opinionin publik ditën e sotme.

Policia e Durrësit në njoftimin për shtyp njoftonte paraditen e sotme se një 29 vjeçare, e pamartuar, kishte mbytur djalin e saj të sapo sjellë në jetë nga një lidhje dashurie me një bashkëfshatar të saj.

Nga këqyrja që iu bë trupit të bebes u arrit në konkluzionin se foshnja e seksit mashkull kishte vdekur nga asfiksia, që i ishte shkaktuar nga mbytja me duar.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që 29 vjeçares Eriona Sirikës, që kishte lindur në kushtet e shtëpisë, iu vunë prangat mbrëmjen e djeshme.

Sipas grupit hetimor, që po kryen hetimet për këtë krim të rëndë, Eriona Sirika dyshohet se e ka ndërmarrë këtë akt në kushte të rënda depresioni.

29 vjeçarja, banore e fshatit Borizan, në rrethin e Krujës, ka pohuar para uniformave blu se ka pasur një histori dashurie me një burrë në fshat. Ndarja mes të dyve ka bërë që gjendja psikologjike e vajzës së re të rëndohet, ndërkohë që situata është bërë më e vështirë kur ka mësuar faktin se kishte mbetur shtatzënë.

29-vjeçarja ka deklaruar se u nxit nga i dashuri për krimin makabër. “Ai nuk e donte fëmijën. Nuk e pranoi atësinë, ai më nxiti ti jepja fund jetës së bebes”.

“Vajza e kishte mësuar vonë që kishte mbetur shtatzënë dhe fëmijën nuk mund ta abortonte, pasi kishte kaluar limiti i kohës së lejuar për abort”, bën me dije policia. 

Pas hetimeve të kryera, policia ka mundur të identifikojë të dashurin e vajzës 29-vjeçare. Mësohet se i dashuri është shtetasi, F.D., 43 vjeç, nga fshati Thumanë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/