Ekskluzive e “Dyrrah”-ut
– Mësohet se tekat e kapitenëve për të mos ndryshuar kursin e lundrimit, është bërë shkak i aksidentit të ndodhur dy vite më parë në Adriatik, ndërmjet dy anijeve
– Kërkohet dënimi me burg 2-15 vjet për kapitenët e shpallur shkaktarë
DURRËS, 19 qershor 2013– Janë mbyllur hetimet për aksidentin e ndodhur dy vjet më parë në detin Adriatik, ku nga përplasja e një anijeje tregtare turke me një traget edhe ai turk, gjetën vdekjen tetë persona.
Nga dëshmitë e grumbulluara dhe nga raporti i ekspertizës është arritur në përfundimin se të dy kapitenët kanë mundur ta lokalizojnë shumë para përplasjes njëri tjetrin, porse çdo njeri prej tyre, duke menduar se përparësia (e drejta) e kalimit ka qenë e drejtë e tij, nuk kanë bërë mjaftueshëm manovra për t’iu shmangur përplasjes. Kapiteni i tragetit “Ankara”, Ahmet Atila Gynsur, ka dëshmuar se menjëherë pas përplasjes kanë shkëmbyer fyerje në radio me ekuipazhin e anijes që u mbyt. Organi i prokurorisë ka ngritur në ngarkim të kapitenit të anijes së mbytur dhe kapitenit të tragetit akuzën e “shkaktimit të vdekjes dhe plagosjes nga pakujdesia”, duke kërkuar për secilin prej tyre nga 2-15 vjet heqje lirie. Në aktakuzën e ngritur prej saj, Prokuroria e Stambollit ka arritur në përfundimin se përplasja e ndodhur ndërmjet tragetit M/F “ANKARA”, me kapiten të parë të pandehurin Ahmet Atilla Gynsur, i cili lundronte në drejtim të një porti italian, dhe anijes me emër “REINA – 1”, me kapiten të parë të pandehurin tjetër Ahmet Bal, e cila lundronte me një ngarkesë alumini në drejtim të portit malazez të Tivarit, ka ndodhur rreth 20 milje larg portit shqiptar të Durrësit. Si pasojë fatale e këtij aksidenti të ndodhur në detin Adriatik, ka ndodhur mbytja brenda një harku kohor prej 4 minutash, e anijes turke “Reina -1”, me ekuipazh të përbërë prej 10 personash, të gjithë me kombësi turke, nga të cilët kanë mundur t'i shpëtojnë mbytjes vetëm kapiteni i saj i parë, Ahmet Bal, dhe kapiteni i dytë, Ahmet Sojturk, ndërkohë që nuk dihet asgjë për fatin e 8 pjesëtareve të tjere të ekuipazhit, të cilët rezultojnë të humbur në thellësitë e detit, emrat e të cilave janë: Bejtullah Jillmaz, Rexhep Bulut, Ahmet Gynesh, Tunxhaj Bajraktar, Iljas Terzi, Murat Saltun, Tahir Bytyn dhe Iljas Gynej.
“Manovrën duhej ta kishte bërë anija tjetër”
Sipas deklarimeve të kapitenit Ahmet Atilla Gynsur, ditën e aksidentit, kur në bordin e tragetit të drejtuar prej tij, gjendeshin gjithsej 235 persona, ekuipazh, personel dhe udhëtarë, është ndeshur në det të hapur me anijen “REİNA-1”. “Sipas rregullave, vijon ai në deklarimet e tij, mua më duhej të mos i shmangesha kursit tim e të vazhdoja drejt, ndërsa anija tjetër duhej të bënte manovrën e shmangies nga kursi i saj. Komunikuam me radio për të garantuar kalim të sigurt. Madje, leja na u dha e shoqëruar edhe me urimin “OK, kaloni, udhë të mbare”. Ajo që duhej të bënte anija tjetër për një kalim të sigurt, ishte të kalonte nga ana e përparme e tragetit dhe jo të më drejtohej në pjesën e bashit, gjë të cilen ende nuk e kam kuptuar se përse e ka bëre”. “Para përplasjes, në kohën kur të dy anijet u afruan pranë njëra tjetrës”, vazhdon më tej në deklarimet e tij kapiteni i tragetit Ahmet Atilla Gynsur, “nga anija “REİNA-1” na ka ardhur një thirrje alarmi me tekst “çfarë keni ndërmend të bëni”, ndërsa pas përplasjes kemi shkëmbyer fjalë dhe fyerje me oficerin e anijes që u mbyt”. Gynsur nuk ka mohuar as faktin se përpara ngjarjes trageti drejtohej nga autopiloti.
Ekspertiza: të dy kapitenët fajtorë!
Ndërkaq, i pandehuri tjetër Ahmet Bal, me detyrë kapiteni i parë i anijes tregtare “REİNA-1”, i cili mundi t’i shpëtonte mbytjes, duke u hedhur në det pas aksidentit, për t’u nxjerrë nga uji vetëm një orë pas aksidentit po nga trageti M/F “ANKARA”, realizoi mbrojtjen e tij, duke adresuar në drejtim të tragetit M/F “ANKARA” akuzën se ka qenë trageti ai që e ka goditur anijen e tij duke i shkaktuar asaj edhe mbytjen, si dhe duke mohuar çdo lloj përgjegjësie vetjake dhe duke ia ngarkuar kapitenit të tragetit të gjithë përgjegjësinë e aksidentit.
Ndërsa raporti i hartuar nga një ekipi ekspertësh ka konstatuar se të dyja anijet kanë mundur ta lokalizojnë njëra tjetrën para se të ndodhte aksidenti, se kanë mundur të komunikojnë me njëra tjetrën nëpërmjet të njëjtës gjuhë, gjë që nuk le shteg keqkuptim në komunikim, dhe se përparësia e kalimit ka qenë e drejtë e tragetit M/F “ANKARA”, porse të dyja anijet kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren Ndërkombëtare të Parandalimit të Përplasjeve në Det (COLREGs – International Regulations for Preventing Collisions at Sea 1972), duke mos bërë manovrat e nevojshme. Në fund, raporti del në përfundimin se për këtë arsye, mbi të dy kapitenët rëndon përgjegjësia e gradës së dytë.
/Nga e përditshmja turke “Sabah”, 17.6.2013/
Info
Më 20 tetor 2011 mbytet anija me pronar turk “Reina”. Me gjithë kërkimet intensive për gjetjen e tetë marinarëve të humbur turq, të cilët po lundronin me anijen “Reina 1”, ato kanë rezultuar pa sukses. Pas dërgimit në spitalin rajonal të Durrësit të dy të mbijetuarve kapitenit dhe kapitenit, Ahmet Bal dhe zëvendës-kapitenit Ahmet Sojturk (shih fotot), shtabi i emergjencës patrulloi me helikopter përreth zonës prej 20 miljesh distancë nga brigjet shqiptare për gjetjen e marinarëve të tjerë.
AKSIDENTI
Anija tregtare “Reina 1”, me flamur maltez dhe me pronësi turke u përplas nga trageti i linjës Durrës-Bari në orën 00:50 minuta të 20 tetorit 2011. Anija, e cila raportohet se po lundronte drejt portit Bar të Malit të Zi, sipas dëshmive paraprake, ka manovruar për të shmangur aksidentin, por më pas është goditur në pjesën fundore të saj nga trageti “Ankara”. Është thënë se trageti nuk ka pësuar asnjë dëmtim, por në Bari është parë një e çarë e madhe, ndërkohë që anija tregtare është fundosur brenda 4 minutave.
Anija “Reina 1” ka qenë në Portin e Durrësit për të shkarkuar drithë në muajin qershor 2011 (shih foton). Pas njoftimit për aksidentin detar roja bregdetare shqiptare u nis drejt vendit të ngjarjes dhe rreth orës 6 të mëngjesit në Portin e Durrësit janë sjellë dy të mbijetuarit që u transportuan për në spital. Kapiteni dhe zëvendës-kapiteni tregojnë momentet e përplasjes.
DËSHMIA
“Në orën 1 të natës u përplasëm me tragetin Ankara. Pas dy minutash anija jonë u mbyt. Dhamë alarmin që personat të përgatiteshin për të veshur jelekët e shpëtimit. Pas përplasjes po shikonim ç’ndodhi dhe anija u mbyt për 2 minuta”, deklaron kapiteni i dytë anijes së mbytur, Ahmet Sojturk.
Burime jozyrtare thanë se dyshohet që njëri nga mjetet lundruese ka qenë në drejtim autopilot. Ndërkohë që nga anija “Reina 1” deri në kërkimet e vona kanë mbetur përveç dy të mbijetuarve, vetëm jelekët e shpëtimit për marinarët.
MALTA
Anija “Reina 1” me flamur maltez dhe pronar turk, është nisur më 10 tetor 2011nga porti rus i Novorosijskut me 3100 tonë alumin, sipas Nënsekretariatit të Flotës Detare Turke, cituar më 20 tetor, ora 12,37 nga agjencia zyrtare e lajmeve e Turqisë “Anadolu Agency”. Anija është regjistruar me flamur maltez në Valeta nga shoqëria klasifikuese “Bureau Veritas”. Pronar dhe menaxher i anijes është kompania turke “Grupshipping & Trading” me seli në Stamboll. Tonazhi i anijes së mallrave është 3400 tonë. Gjatësia është 78 metra, gjerësia 12 metra, zhytja 5,9 metra. Është ndërtuar në kantierin detar polak Gdinja në vitin 1991.
Që në mëngjesin e datës 20 tetor, Njësia e Hetimit për Sigurinë Detare e Maltës ishte në kontakt të vazhdueshëm me menaxherët e Sigurisë Ndërkombëtare të agjencisë malteze së mallrave në Turqi dhe me autoritetet turke detare në Ankara. Autoritetet malteze kanë caktuar zyrtarë për të hetuar aksidentin dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me autoritetet turke në hetimin e aksidentit, njoftojnë mediet malteze. Po sipas nënsekretariatit të Flotës Detare Turke, cituar nga “Anadolu Agency”, trageti me flamur turk “Ankara” në çastin e aksidentit kishte 189 udhëtarë dhe një ekuipazh prej 46 vetash. Trageti nuk ka pësuar dëmtime.
JELEKË DHE VARKA
Për organet ndërkombëtare të hetimit prova kryesore konsiderohet trageti “Ankara”, i cili u këqyr në portin italian të Barit. Burime jozyrtare thanë se dyshohet që njëri nga mjetet lundruese ka qenë në drejtim autopilot. Ndërkohë që nga anija “Reina 1” deri në kërkimet e vona kanë mbetur përveç dy të mbijetuarve, vetëm jelekët e shpëtimit për marinarët. Por më 25 tetor 2011 është gjetur një varkë shpëtimi shumë milje larg vendit të mbytjes, që mund të jetë përdorur nga 8 marinarët e tjerë, të cilët janë zhdukur në drejtim të panjohur, duke u shpallur “missing”.
GRURË APO ALUMIN APO…?
Anija e transportit të mallrave “Reina 1”, që u mbyt 20 milje larg Durrësit gjatë një përplasjeje me tragetin “Ankara”, ishte e ngarkuar me 3100 tonë grurë në portin rus të Novorosijskut në detin e Zi me destinacion portin malazez të Tivarit (Bar), raportonin më 20 tetor 2011 mediet shqiptare dhe disa nga ato ndërkombëtare që u referoheshin dy të mbijetuarve nga 10 në ekuipazh, dhe jo dosido: kapiteni dhe zëvendësi i tij.
Anija e transportit të mallrave “Reina 1”, që u mbyt 20 milje larg Durrësit gjatë një përplasjeje me tragetin “Ankara”, ishte e ngarkuar me 3100 tonë alumin në portin rus të Novorosijskut në detin e Zi me destinacion portin malazez të Tivarit (Bar), raportonte më 20 tetor Agjencia zyrtare telegrafike e Republikës së Turqisë “Anatoli Azhans”, që i referohej Nënsekretaratit për Çështjet Detare të qeverisë turke. Ambasadori turk konfirmoi në Durrës ngarkesën me alumin më 25 tetor.
/Përgatiti: Thanas Mustaqi, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





