Një ditë pas mbytjes së peshkarexhës “Gimi & Geri” në basenin e portit të peshkimit në Durrës, kreu i sindikatës së peshkimit Klodian Kapiti ngre shqetësimin se të tjera mjete lundruese rrezikojnë të njëjtin fat.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, Kapiti thotë se për shkak të krizës që prej mëse një viti ka përfshirë këtë sektor, shumë nga pronarët e peshkarexhave nuk u kryejnë mjeteve të tyre as shërbimet më minimale të mirëmbajtjes.

“Gjysma e flotës është aktive në peshkim, pjesa tjetër janë të lidhura në bankinë. Varkat e drurit kanë nevojë urgjente për punime në kantier, për remont. Kjo është anija e radhës që është mbytur, pasi dhe dy të tjera janë mbytur pak kohë më parë”.

Mjeti lundrues që u mbyt dje në basenin e portit kishte përmasa të mëdha, por prej gati dy vitesh nuk dilte në det. Sipas Kapitit, përveç dëmit financiar që u shkaktohet në këtë rast pronarëve të mjetit lundrues, problem më vete krijon kjo situatë përsa i përket lëvizshmërisë së peshkarexhave të tjera.

“Ajo zë vendin dhe anijet e tjera nuk kanë ku lidhen”,- deklaron kryesindikalisti. Në të tilla raste, nxjerrja nga uji e mjetit të mbytur dhe dërgimi në kantier duhet të bëhet nga vetë pronari i peshkarexhës, gjë që rëndon edhe më shumë faturën financiare të tij.

Në të njëjtën kohë, kryesindikalisti i sektorit të peshkimit thotë se prej kohësh vijon problematika tjetër që ka të bëjë me mungesën e krahut të punës.

“Është një numër jo i vogël anijesh që sot janë të lidhura në bankinat e peshkimit për shkak të mungesës së krahut të punës dhe për shkak të një viti mjaft të dobët nga ana e prodhimit. Ku nuk ka prodhim ose është i dobët, pronarët e kanë të pamundur të japin rrogat. Nuk flitet më për krah pune shqiptar, por për krah pune egjiptian. Por edhe egjiptianët kanë nisur të ikin sepse shumë anije po mbyllen nga pamundësia financiare”.

M.B.