Kore e jugut, 27 prill 2014 – Kryeministri i Koresë së Jugut, Chung Hong-won, njoftoi të dielën dorëheqjen e tij, për shkak se qeveria nuk u përgjigj siç duhej ndaj tragjedisë së tragetit. Trageti “Sewol” u mbyt gjatë një udhëtimi rutinë më 16 Prill.

“Në emër të qeverisë, kërkoj falje për shumë probleme, që nga mundësia për ta parandaluar këtë tragjedi, e deri te mënyra se si u trajtua fillimisht aksidenti. Ka pasur shumë parregullsi dhe praktika të gabuara në disa pjesë të shoqërisë, të cilat jetojnë me ne prej shumë kohësh, por që shpresoj të korrektohen sa më shpejt, në mënyrë që aksidente të tilla të mos ndodhin më. Mbajtja e postit tim është një barrë shumë e madhe për administratën”, tha Chung. 

Më shumë se 300 njerëz, shumica e të cilëve studentë dhe mësues të shkollës së mesme “Danwon”, në periferitë e Seulit, nuk mundën të mbijetonin, teksa trupat e disa prej tyre janë nxjerrë, ndërsa të tjerë janë ende të zhdukur.

Fëmijët në bordin e “Sewol” kishin marrë urdhër për të qëndruar në kabinat e tyre, në pritje të urdhrave të tjerë. Por, numri total i të vdekurve deri ditën e diel ka arritur në 187.

Dorëheqja e Chung pritet të miratohet nga presidentja Park Geun-hye.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/