Pas mbytjes në det të një pushuesi të huaj në bregdetin e Golemit, ka reaguar shefi i urgjencës së spitalit të Durrësit. Sezoni turistik në Durrës është drejt pikut të tij. Edhe problematikat shëndetësore të pushuesve kanë shënuar rritje në urgjencën e spitalit të Durrësit.

Ka shkuar në 300 numri i pacientëve në ditë në urgjencën e spitalit të Durrësit, me një rritje deri në 50%.  Shefi i shërbimit të urgjencës Ashim Zogu, tha se numri është rritur si rezultat i pushuesve që gjenden në bregdetin e Durrësit. Është rritur numri i personave me trauma, të të mbyturve në det si rezultat i atakeve kardiake, dhe komplikacioneve që vijnë si rezultat i djegieve të lëkurës në mënyrë të menjëhershme.

Asnjë prej pushuesve që vuajnë nga sëmundje kronike siç janë diabeti, hipertensioni, tiroide, etj., nuk duhet të ekspozohen pas orës 10:00 në plazh, por të futen në hije dhe absolutisht të dalin në diell për të mos rrezikuar shëndetin me komplikacione të ndryshme. Rrezet e diellit në mesditë janë fatale edhe për të shëndetshmit. Mjeku thotë se të sëmurët kronikë nuk duhet të lihen vetëm gjatë banjave të diellit në det, por të shoqërohen nga të afërm.

Mjeku ndalet në një prej problemeve që po rezulton fatale për pushuesit, siç është mbytja e tyre në det. “Mos u futni direkt në ujë, por në fillim laguni, dhe lëreni trupin të mësohet me uin e freskët. Më të rrezikuar janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut, ndërsa paniku që përjetojnë është edhe më i madh. Mjeku thotë se duhet të ruajnë qetësinë dhe të shmangin panikun që i kap në këto raste, për t’i shëptuar mbytjes.

Gjatë kësaj vere, numri i personave që janë mbytur në det ka qenë i madh. Pjesa më e madhe e tyre kanë humbur jetën si rezultat i mbytjeve nga dallgët, duke shkuar në thellësi por edhe si rezultat i atakut kardiak, që prek pushuesit që vuajnë nga sëmundje kronike.

K.H.