Një bashkëpunim mes MC Kreshës dhe Don Xhonit është prej kohësh një dëshirë e fansave të hip-hopit shqiptar. Së fundmi, Kresha ka folur hapur për marrëdhënien me reperin dhe arsyen pse një duet mes tyre nuk është realizuar ende, duke sqaruar se mes tyre nuk ka asnjë pengesë apo hatërmbetje.

Gjatë një interviste në emisionin e Meriton Mjekiqit, reperi ndau detaje nga raportet me kolegët dhe karriera e tij, ndërsa vëmendjen më të madhe e mori pikërisht tema e Don Xhonit, një nga emrat më të komentuar të skenës aktuale.

I pyetur për mungesën e një bashkëpunimi, MC Kresha theksoi se gjithçka lidhet me momentin e duhur dhe jo me plane të kalkuluara. Sipas tij, muzika dhe bashkëpunimet ndodhin natyrshëm, kur krijohet energjia e duhur mes artistëve.

Ai kujtoi edhe një episod kur Don Xhoni e kishte vizituar në studio, duke ardhur me një ofertë të hapur bashkëpunimi. “Kur ka ardhur te ne, ka thënë: ‘qitne kontratën, shkruani çfarë të doni’,” tregoi Kresha, duke e cilësuar këtë si një shenjë respekti dhe gatishmërie për të punuar së bashku.

Reperi shtoi se marrëdhënia mes tyre është e bazuar në vlerësim të ndërsjellë dhe mbështetje, duke përmendur edhe mesazhet inkurajuese që i kishte dërguar Don Xhonit në një moment të rëndësishëm të karrierës së tij.