Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi, ku takoi presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, dhe zyrtarë të tjerë të shtetit serb.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Serbisë, McAllister tha se Serbia ka reputacionin e faktorit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por theksoi nevojën që ky vend të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit. Ai tha se pret që aktivitetet shtesë të institucioneve serbe të çojnë në hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Vuçiç, në anën tjetër, tha se vendi i tij do të vazhdojë të bëjë reforma në përputhje me porositë e BE-së. Ai po ashtu tha se Serbia e mbështet vendosmërisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por theksoi se ky dialog është i mundshëm vetëm kur Kosova të heqë taksën ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, raportojnë mediat serbe.
Normalizimi i raporteve është kusht edhe për Serbinë, edhe për Kosovën që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian. McAllister takoi edhe ministren për Integrime Evropiane të Serbisë, Jadranka Joksimoviç. Edhe kjo e fundit tha se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, sapo të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.
Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit të kaluar. Eurodeputeti McAllister po qëndron në Serbi për herë të parë në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Ai më parë ka shërbyer si raportues i PE-së për Serbinë. /Rel