TIRANE, 2 korrik 2013 – Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi zhvilloi sot një takim me kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të ODIHR-it, Costance Berryman McCormack, si dhe zëvendëskryetarin e këtij Misioni, Harald Jepsen, një ditë para largimit të tyre nga vendi ynë.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth procesit zgjedhor dhe rezultateve të misionit të vëzhgimit.
Nga ana e saj, Znj. McCornack falenderoi Ministrin Bumçi për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me vëzhguesit ndërkombëtarë. Në veçanti, ajo shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor. Sa i përket procesit të numërimit të votave, kryesuesja e ODIHR-it u shpreh se procesi ishte transparent dhe profesional.
Ministri Bumçi e falenderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto zgjedhje shënuan një hap përpara drejt konsolidimit demokratik dhe proceseve integruese të vendit.





