Ministria e Financave, me mbylljen e afatit të parashikuar të lojës promocionale të kuponit tatimor, bën me dije se me datë 15 janar do të zhvillohet shorteu ku do të shpallen fituesit e këtij shorteu.
” Kjo lojë ishte pjesë e fushatës sensibilizuese dhe promovuese të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe e mbështetur nga Ministria e Financave. Loja kishte si qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e konsumatorit për tërheqjen e kuponëve tatimorë gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve.”- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria e Financave bën me dije se në këtë lojë kanë marrë pjesë më shumë se 28 mijë të interesuar, duke depozituar të gjithë kuponët tatimorë të tërhequr gjatë Nëntor-Dhjetorit 2015 dhe duke bërë që çdo qytetar të bëhet pjesë e lojës dhe të ketë mundësinë që të fitojë një nga 511 shpërblimet monetare.
Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 Janar 2016, në orën 20.45, drejtpërdrejt në televizionin Top Channel, si dhe përzgjedhja e fituesve do të kryhet në mënyrë elektronike.
Komisioni
Për qëllimin e organizimit të Lojës së Kuponit Tatimor është ngritur një komision i përbërë prej 7 anëtarësh me përfaqësues të: i) Ministrisë të Financave; ii) Njësisë së mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit; iii) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; iv) Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës; v) Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë; vi) Organizatave të shoqërisë civile që punojnë për mbrojtjen e konsumatorit; vii) Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Komisioni ka për detyrë mbikëqyrjen e hedhjes së shortit dhe shpalljes së fituesve të të gjitha kategorive.
Komisioni ka filluar punën për certifikimin e kategorisë së I dhe të II të fituesve.
Për kategorinë e III dhe IV, shpallja e fituesve do bëhet pas hedhjes së shortit dhe pasi të jenë verifikuar të dhënat e deklaruara nga pjesëmarrësit me gjendjen e zarfitbrenda një jave.
Lista e fituesve do publikohet në faqen e internetit të lojës
Në rastin kur një numër është përzgjedhur në mënyrë rastësore fitues dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet.
Çmimet
“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” ka 4 kategori fituesish . Në përfundim të lojës do të shpallen 511 fitues për një vlerë totale prej 8,000,000 lekësh.
Çmimet fituese për kategorinë I dhe II
Në kategorinë I dhe II do ketë 11 fitues, të cilët nuk do përzgjidhen mbi bazën e hedhjes së një shorti, por në bazë të klasifikimi sipas vlerës totale dhe numrit të kuponëve të dërguar. Fituesit do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70% me vlerën nominale të kuponëve dhe 30% me numrin total të kuponëve të postuar. Pra, sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia e fitimit.
Kategoria Nr. fituesve Çmimi për fitues Totali
I 1 1,000,000 Lek 1,000,000 Lekë
II 10 100,000 Lek 1,000,000 Lekë
Nëse pas vlerësimeve për vendin e parë apo edhe për 10 fituesit e tjerë rezultojnë më shumë se një fitues për kategorinë e parë, apo më shumë së 10 fitues për kategorinë e dytë me të njëjtat pikë, përzgjedhja e fituesve bëhet nga aplikacioni elektronik në mënyrë rastësore të bar-kodit respektiv.
Çmimet fituese për kategorinë III dhe IV
Kategoria e III dhe IV e fituesve do përzgjidhet në mënyrë rastësore, nëpërmjet një mekanizmi elektronik, i cili do përzgjedhë fituesit sipas një gjeneruesi rastësor numrash (RNG). Pjesëmarrësit në lojë do kualifikohen si të tillë me plotësimin e kushteve të mëposhtme: a) Të kenë minimum 50 kuponë me vlerë jo më pak se 5,000 lekë të të gjithë kuponëve në total; b) Duhet që këta kuponë të postohen nëpërmjet Postës brenda afatit të lojës.
Kategoria Nr. Fituesish Çmimi për fitues Totali
III 200 15,000 Lek 3,000,000 Lekë
IV 300 10,000 Lek 3,000,000 Lekë
/Monitor