·        EKSKLUZIVE / Lajmin e medieve të Ankarasë nuk e konfirmon dhe as nuk e mohon zyra e kreut të shtetit në Tiranë

·        Në të njëjtën ditë veprimtari dhe në Armeni. A do të marrë pjesë Shqipëria?

·        Nuk dihet nëse Presidenti është konsultuar në këtë rast me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha

DURRËS, 16 shkurt 2015 –  Presidentët e Azerbajxhanit, Shqipërisë, Somalisë; Kryeministrat e Australisë dhe Zelandës së Re, si dhe Princi i Kurorës së Britanisë së Madhe Çarls (Charles) pranuan ftesën e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të marrë pjesë në aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të Betejës së Çanakalasë, më 24 prill 2015, njoftoi portali turk “Canakkaleninrehberi.com” [İngiltere Velihat Prensi Charles Arnavutluk Cumhurbaşkanı Buyar Nişani ve Somali Cumhurbaşkanı Hasan Şeyh Mahmud (shih faksimilen dhe linkun: http://www.canakkaleninrehberi.com/?Syf=18&Hbr=764370)].

Ndërkaq zyra e Nishanit as e ka konfirmuar as e ka hedhur poshtë këtë njoftim.

Edhe 38 vende të tjera kanë pranuar ftesën e Erdoganit, por nuk dihet se në çfarë niveli do të paraqiten. Ftesa janë dërguar gjithsej në 102 vende. Mes të tjerëve Erdogani i ka dërguar ftesë presidentit armen Serzh Sargsjan. Ky i fundit ka refuzuar ftesën e homologut të tij turk Erdogan, duke i sugjeruar Ankarasë të njohë fillimisht gjenocidin turk ndaj armenëve në vitin 1915.

Njoftohet se Sargsjan-i nuk është mjaftuar me kaq, por të hënën, më 16 shkurt 2015, i ka kërkuar parlamentit armen të anulojë marrëveshjen e vitit 2009 për pajtimin armeno-turk. Njoftohet se edhe Armenia ka ftuar delegacione të huaja, mes tyre edhe nga Shqipëria, për aktivitetet që do të zhvillohen në kryeqytet me rastin e këtij 100-vjetori. Pritet të marrin pjesë përfaqësues nga SHBA, Gjermania, Franca, Rusia etj. Nga ana tjetër, nuk mund të parashikohet se si do të zhvillohen ngjarjet deri më 24 prill 2015.

Sfond

Dihet që ish-qeveria Berisha, ministri i tij, Fatmir Mediu kur kryesonte Mbrojtjen, ka ndihmuar me armatim Armeninë në luftën kundër Azerbajxhanit, por anija e nisur nga Durrësi u bllokua nga dogana turke. Shefi aktual i opozitës, në atë kohë ministër i Punëve të Jashtme Lulzim Basha i ka kërkuar falje Azerbajxhanit.

Nuk dihet nëse kreu i shtetit Bujar Nishani është konsultuar në këtë rast me ish-kryeministrin Berisha dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha. Zëra nga opozita kanë kritikuar politikën e Kryeministrit Edi Rama në marrëdhëniet me Erdoganin, duke e sulmuar tërthorazi edhe Ankaranë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/