Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha sot në fjalën e tij në Kuvend se me datë 7 korrik do të mbahet një seancë parlamentare e posaçme ku do të nderohen të gjitha viktimat e genocidit në Srebrenicë.
Balla theksoi se do të ftohen përfaqësues të Bosnje-Hercegovinës dhe familjarë të viktimave dhe se dokumenti i rezolutës do të jetë i saktë, duke i dhënë fund kështu pandëshkueshmërisë për jetët e humbura.
Balla: Sa i përket kalendarit, dje në konferencën e kryetarëve unë kam rikujtuar një vendim të Kuvendit të 12 majit 2022 lidhur me shqyrtimin dhe miratimin e një rezolute për kujtimin e viktimave në Srebrenicë dhe kemi rënë dakort që të mbahet një seancë e posaçme dhe për shkaqe objective nuk zhvillohet dot me 11 korrik.
Kam kërkuar që të behet me 7 korrik ku natyrshëm kryetarët e grupeve parlamentare të mbajne fjalët e rastit dhe të dokumentohet. Përmes kësaj rezolute do të zgjidhen rastet e pandëshkuara per këtë genocid dhe i kam kërkuar kryetarës së opozitës së jashtme, të thërrasim zyrtarë të Bosnje Hercegovinës apo familjarë të viktimave nga ky genocid. Kështu do përkujtojmë e do nderohen këto viktima dhe Kuvendi do marrë qëndrimin përkatës. Alibeaj besoj se ka dhe dakortësinë e grupit parlamentar.
Për një komision hetimor besoj se ka dakortësi dhe të hënën do e shqyrtojmë. Ne kemi pasur një diskutim, një gjë është e sigurt, në asnjë rast Kuvendi përmes betejave të rezolutave nuk mund të përdoret nga askush për nevoja të momentit.





