Nga BUJAR QESJA

Ka qenë 16 marsi i vitit 2024. E shtunë. Mesditë. Në pyllin e dendur të njerëzve, pjesmarrës në funeralin madhështor të shokut dhe mikut të madh Artur Bujari, takova me kardilogen e njohur Klodiana Spahiu dhe dy bashkëbiseduesit e saj, çiftin tërheqës Bardhyl dhe Elsa Baltëza. Me Bardhin, shkurtim i emrit, takuar një herë, apo dy herë. Pra fare pak.

Në një rast kur drejtoja teatrin e Durrësit “A. Moisiu”, kishim dhënë me qira mjedisin e kafes lart. Ishte edhe selia e Rotary Club i Durrësit që drejtohej në atë kohë nga Shpëtim Prodani. Ky Bardhyl Baltëza ishte pjesë e grupit të biznesmenëve që takoheshin aty edhe për specifikat e punës së tyre. Mbaj mënd që ka qenë edhe Hajdar Kovaçi, Luan Toro etj. Bëhet fjalë për vitin 2002 dhe 2003, 20 e më shumë vite të shkuara.

Në atë përcjellje të Tur Bujarit, pasi shkëmbyem respekt reciprok, e ftova këtë biznesmen kur ta kishte mundësinë, të konsumonim nga një kafe, nga ajo turkja ime, por edhe pak alkol gjithnjë nga “kantina” ime dhe në konakun tim, që gjithë kohën vjen era Durrës dhe ku janë ulur shtruar dhe bëjnë ligjin durrsakët.

Nga e shtuna e 16 marsit, deri në të dielën e 14 prillit 2024, kanë kaluar 29 ditë. Befas shikoj që në drejtim të selisë time prej llamarine, pranë një gjelbërimi sa vjen e rritet e bie në sy, vinte me hapa të plota burri me kurorën e thinjur të flokëve mbi krye. Ishte ai burrë që kisha takuar me 16 mars 2024 dhe që e kisha ftuar të më vizitonte në raporte miqësore.

E mbajti fjalën dhe kjo përbënte plus jo fort të vogël të besës dhe staturës të këtij burri, që të prezanton pamje të qetë, të shtruar, me karakter të kristalizuar dhe siç e vura re më pas, që as nuk kishte ndërmënd të lëkundej në epilogun disi të thellë të jetës.

Sapo u ofrua dhe në kohën e shtrëngimit të duarve dhe të përshëndetjeve, dëgjova të më thonte me zë tërheqës dhe të padridhur:

– E para fjala miku im dhe pas saj prezenca ime këtu, tek ky konak i ngrohtë, i freskët, i ëmbël njerëzish miqësor. Mirëse të gjeta zotni i lapsit dhe mik i bindur i durrsakëve!

Më gëzoi shumë, pasi jo të gjithë e mbajnë fjalën dhe jo të gjithë bëjnë atë që thonë. Por ky Bardh Baltëza ishte prerje tjetër. Me urtësi, që duhet t’i jetë qepur fizikut të tij mbase në lindje, me fisnikërinë e krijuar nga rrugëtimi i gjatë prej 83 stacionesh i jetës prej zanafillës të vitit 1941, me një të folur që fiksonte mendimin si gurë i rëndë dhe i paluajtur më çfaqet Bardh Baltëza.

Qendruam dhe folëm. Qendruam dhe dëgjuam njëri tjetrin. Qendruam dhe e njohëm njëri tjetrin, duke i çmuar pa i cënuar sinqeritetin, komunikimin e lirshëm, sikur të ishim njohur prej shumë e shumë kohësh. Ajo çka i kisha fiksuar thjesht nga pamja, ishte absolutisht tjetër gjë, kur qendruam në atë sofër modeste të improvizuar në konakun po aq të thjeshtë të një profesionisti të letrave, i cili kërkon ti japë bashkëqytetarëve të tij dhe jo vetëm, pjesë të jetës aktive, duke transmetuar mbresa nga takime mes njerëzish.

Bardhyli është lindur në Elbasan dhe dashuria për këtë qytet në “kërthizë” të Shqipërisë është e pamatë. Mbaroi dukshëm mirë studimet në zanatin e inxhinjerit elektronik dhe emërimi ishte në radiostacionin e Fllakës. Ky ishte kontakti me Durrësin. Pastaj lëviz për në ndërmarrjen e ndërtimit të mjeteve të peshkimit dhe në qendrën e studimit të peshkut, diku pranë “Danubit”.

Nisi të angazhohet në politikë, pas përmbysjes së vitit 1990. U bë edhe deputet i parlamentit shqiptar, me devizën e përfaqësimit të Partisë Demokratike. Politika është si një gotë qelqi, po të thyhet nuk ngjitet më. Veçanërisht kjo në një politikë pa rregulla loje. Ajo çka i pëlqeva Bardh Baltëzës dhe këto po ia bëj tashmë të njohur para jush, se nuk çfaqej politik, ashtu sikundër edhe lapsi im i shmanget sa më shumë këtij etiketimi.

Thyerja dhe zhgënjimi i moralit politik, solli angazhimin e fuqishëm në investim, në biznes. Këtu familja Baltëza, njohu më shumë se sa e dinte veten, deri në krijimin dhe rritjen e autoritetit që veçse puna dhe inisiativa e lirë mund të ta japë. Ia ndërtoj vetë pyetjen vetes, pa dashur të angazhoj asnjë në këtë rast:
Po pse mor njeri i letrave, me një bisedë arrita ta lexosh tjetrin?!

Psikologjia është art dhe në zanatin tonë kjo është parësore. Vërtet njeriu nuk njihet me tre orë, apo tre ditë, apo edhe tre javë, a tre muaj. Por jam i sigurtë që ky Bardh Baltëza, me kostumin moral dhe të integritetit që të çfaqet, njihet. Pastërtia e fytyrës, për fat me asnjë rrudhë, kombinohej në sinkron me pastërtinë e bindjeve që të demostronte dhe logjikën e punës, të biznesit dhe të shoqërisë që diskutonte.

Kam mbetur me gojë hapur. Kam mbetur i ngacmuar shpirtërisht, pasi as nuk mund ta mendoja që ky Bardh Baltëza, marrë me politikë, ushtrues edhe i biznesit, i rënë edhe në vështirësi maksimale ekonomike, të kishte të ndërtuar këtë staturë që jo vetëm vetes, por edhe ne na nderon në përmasat e mburrjes.

Mbaje gazetar lapsin dhe mos hiperbolizo! Ke një zotni përpara, i cili nuk ta fal lehtë nëse tregohesh dorëlëshuar me figuracionet! Por jam i bindur dhe i ndërgjegjshëm sigurisht, se lapsi im, sado i sprovuar që mund të mbetet, është ende i pamjaftueshëm, për të thënë atë që dëgjova, për të rrëfyer atë që ndjeva, për të shpjeguar atë që lexova tek një burrë i rrallë, nder i nderit tonë. Dhe ky është Bardhyl Baltëza.

Jam i sigurtë, që është shkruajtur për këtë zotni mendoj ta etiketoj për rastin, që e filloi biznesin me 100 dollarë në xhep. Së bashku me heroinën e tij, fisniken Elsën, ku të bukurën dhe qendresën e ka të shkruar në shpirt, filluan të përgatisin kremra dhe ti shisnin në minimum fitimi. Por çdo mot e nga një dorë, çdo ditë e nga një centimetër më shumë, dalin tek fuqitë e brëndëshme të tyre, ende të pazbuluara apo të pashprehura, për t’u hedhur në kombinatin e kozmetikës, në prodhimin dhe tregëtimin e ambalazhit, paketimet e të gjitha llojeve, riciklim letre dhe kartoni, e gjithçfarësh.

Bardh Baltëza! Bardhyl Baltëza! I bardh emri. E bardhë jeta. Të bardha përpjekjet. Të bardha qëllimet. Të bardha dëshirat, për të shërbyer e për të qenë në paralelen e të mirës, të së bukurës, të asaj diçkaje madhore, që nuk e kanë të gjithë, për të bërë mirë. Njohuri të thella për ekonominë, për biznesin, për detyrat e secilit në këtë Shqipërinë tonë që jo pak vuan së pari nga ne, për gjërat të cilat i mendojmë dhe i bëjmë keq. E bëjmë pis vetën për asgjë dhe nuk na bën përshtypje, që kënaqemi me fatkeqësinë tonë të krijuar po nga ne.

Mbetet i penguar në frymëmarrje, për atë katraurë që ndodhi me shkatërrimin e ekonomisë, të fabrikave dhe uzinave, të qendrave moderne të kërkimit shkencor, të instituteve ku paraprihej zhvillimi, me të vetmen arsyje se ishin të sistemit të rënë. Padurimi arriti kufirin, kur aparatura moderne e prodhuar në Norvegji për kërkimin dhe gjetjen e zonave të peshkimit, do të shitej dhe do të shkatërrohej, e dyta pas Italisë nuk duroi.

Protestoi për këtë. Injoranca, mohimi dhe shkatërrimi ishin ulur këmbëkryq në instiutucionet. Ishte e kotë të rezistoje. Dhe përgjigja nuk vonoj. Pushohet nga puna. Familja Baltëza flaket në katër rrugë, pa asnjë përkrahje.

Ky Bardh i Baltëzave, fliste shumë pastër, ashtu si vetë zemra dhe shpirti i tij. M’i dha gjykimet në pëllëmbë të dorës, ashtu i qetë, i vendosur hijshëm në vendin e tij, i saktë dhe realist si askush. Kjo shkaktoi befasi për mua. Nuk ia falja vetes, se si nuk kisha mundur të rrija kështu si më parë dhe më vjen takimi me të, si surprizë jetësore në një moshë të thyer lehtas, të një njeriu të betuar të letrave.

Nuk shante, as nuk fyente. Skishte përse. Por opozitarizmi i tij, që në logjikë është i kujtdo në kësi rastesh, qendronte në bërjen e gjërave më mirë, më bukur, veçanërisht në kohë, pasi ajo kalon dhe gjithnjë rrijmë e qahemi, se sa mangësi i kemi krijuar vetes dhe shoqërisë.

Nuk e lexova Bardh Baltëzan si biznesmen në krijimin e EDIPACK, duke përfshirë ish ‘Beba Biochemical International”, as si ortak i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, as si mundësi reale e gjykimeve të tij për mjedisin bio që krijojnë riciklimet dhe pastërtinë që meritojmë. Jo këtu, sepse puna e tij vjen gjigande, e pakonkurueshme dhe me mundësi mahnitëse zhvillimi. Do të duhej shumë kohë ta bëja këtë.

Por e pashë dhe e vendos Bardh Baltëzën, në optikën e njeriut me mendimet e tij progresiste, të dashurisë për gruan, për fëmijët, për punëtorët e kompanisë së tij, por edhe të Durrësit dhe të Atdheut, të të gjithë shqiptarëve. Sa kulturë kishte ky Bardh i bardhësisë shpirtërore dhe mendore! Sa hapej zemra e tij, kur fliste për ardhmërinë e vendit, për të evituar mangësi që ska sepse ti kemi! Sa e donte tokën e tij, që fqinj me qëllime të mbrapshta kërkojnë t’a nëpërkëmbin!

E diela e 14 prillit 2024 është lënë pas, por gjithnjë përpara do të kem takimin me këtë njeri të veçantë, që nuk e kisha njohur më parë, por fati ma solli të pasuronte historinë e takimeve, në këtë konakun tim që gjithnjë e më shumë zgjerohet.

Burrat e mënçur si Bardh Baltëza, të japin shansin e kënaqësisë në këtë jetë që quhet e jona. Ta mbushin zemrën e këtij trupi tonin, me optimizëm dhe shpresë, se ditët që vijnë të na japin mundësinë e të jetuarit, si të barabaratë me kombe të zhvilluaa dhe të civilizuara.

Takimi me Bardh Baltëzën, me Bardhyl Baltëzën e veçantë në shoqërimet e mia. Dhe nuk kisha se si mos t’ua përcillja.
Bardh Baltëza! Qendro me shëndet mik!

Bujar Qesja
Durrës: 17 prill 2024