Një shqiptare, e cila ishte e lidhur me një sipërmarrës italian, fillimisht i ka kërkuar atij që të blinin një apartament në Shqipëri ku të jetonin së bashku. Pastaj, pasi u ndërpre marrëdhënia, ajo vazhdonte t’i kërkonte para duke e kërcënuar se do t’i tregonte gjithçka gruas së tij.

Shantazhi ka zgjatur 4 vite me radhë. Kështu, N.K., një shtetase shqiptare 29-vjeçare, i mori biznesmenit italian rreth 33.500 euro.

Kërkesa e fundit për t’i dhënë para është shënuar së fundmi. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22.00, gruaja dhe ish i dashuri lanë takim për shkëmbimin e 10 mijë eurove në stacionin hekurudhor të Padova-s.

E reja shkoi në vendin e takimit me partnerin e saj të ri, një 41-vjeçar italian nga Bari, me të cilin bashkëjeton në Conegliano (në provincën e Treviso-s).

Por për të gjithë këtë, në dijeni ishin edhe karabinierët, që ndërhynë para se të bëhej shkëmbimi i parave, duke arrestuar shqiptaren dhe partnerin e saj.

Në makinën e 29-vjeçares u gjet një shishe me spraj djegës.