Një ditë më parë, në spitalin rajonal të Durrësit ka ndërruar jetë 36-vjeçarja nga Shijaku M.K. e cila ishte dërguar nga familjarët atje, pasi prej ditësh ankohej nga dhimbjet e barkut.
DurrësLajm mëson se 36-vjeçarja prej disa ditësh paraqitej në Qendrën Shëndetësore Shijak dhe ankohej për dhimbje barku. Mjekja e familjes O.S, 27 vjeçe i ka dhënë medikamente gruas së re për qetësimin e dhimbjeve, por duket se ato nuk e kanë përmirësuar gjendjen shëndetësore të 36-vjeçares.
Me dhimbje barku, ajo është paraqitur sërish në QSh dhe ka kërkuar nga mjekët që ta kuronin. Vajtja disa herë e viktimës në Qendrën Shëndetësore pranohet edhe nga policia, që në njoftimin për shtyp bën të ditur se shtetasja M.K. “pasi ishte paraqitur disa herë për mjekim në Qendrën Shëndetësore Shijak, ka shkuar në banesë e më pas më datë 19.08.2020, është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës ku dhe ka ndërruar jetë”.
36-vjeçares që humbi jetën i është bërë serum mbrëmjen e së martës nga mjeku roje i QSh Shijak, shtetasi M.S. 49 vjeç., ndërkohë që mëngjesin e ditës së mërkurë është ngritur sërish duke u ankuar nga dhimbjet. Kur ka shkuar në spitalin e Durrësit, 36-vjeçarja ka qenë thuajse pa puls dhe më pas ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit M.S., 49 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek i urgjencës pranë qendrës shëndetësore Shijak dhe O.S., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke e familjes pranë qendrës shëndetësore Shijak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.





