Personi që shihni në fotografi është Pasquale Scalise, i arrestuar në Tiranë disa ditë më parë për llogari të autoriteteve italiane. Fotografia publikohet nga mediat italiane, që bëjnë me dije edhe detaje të reja rreth tij.
I lindur në Romë, më pas ai ka jetuar në Milano, dhe ka provokuar falimentimin e dy shoqërive në Martinsicuro (Teramo) në vitet 1994/1995, pasi bleu sasi të mëdha mallrash e më pas humbi gjurmët duke përvetësuar edhe llogaritë kontabël të dy kompanive.
Për ti shpëtuar drejtësisë italiane, Pasquale Scalise u arratis në Shqipëri. Ndaj 47-vjeçarit rëndon një dënim me 6 vite e 6 muaj burgim për një sërë mashtrimesh të bizneseve, edhe përmes internetit, në dëm të disa kompanive, kryesisht në veri të Italisë, dhe një dënim tjetër konfirmuar edhe nga apeli i Aquila-s me 5 vite burgim, për mashtrim financiar.
Scalise raportohet se jetonte në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, ku njihej me emrin Andrea dhe punonte në një biznes në emrin e gruas së tij.
“Forca e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P. Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kapën dhe arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin italian: Pasquale Scalise, 47 vjeç, banues në Itali. Ky shtetas është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Italiane e ka dënuar këtë shtetas me 11 vite e 6 muaj burg për veprat penale ‘Mashtrim Financiar’ dhe ‘Mashtrim kompjuterik’. Shtetasi italian, i cili kishte ndryshuar dhe emrin nga Pasquale në Andrea, qëndronte në Tiranë në zonën e ‘Ali Demit’. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shteti.





