Një kapitull i lënë pezull prej vitesh mes moderatorit Labinot Gashi dhe këngëtares Dafina Zeqiri është mbyllur gjatë festave të fundvitit, duke sjellë një pajtim të papritur mes tyre.

Rikthimi i komunikimit ndodhi në kuadër të festimit të 25-vjetorit të karrierës së Labinot Gashit, një event ku Dafina Zeqiri ishte e ftuara e nderit.

Prania e saj në këtë mbrëmje u interpretua si një sinjal publik se marrëdhënia mes tyre kishte hyrë në një fazë të re, pas një periudhe të gjatë mungese komunikimi.

Gjatë fjalimit të tij, Labinoti foli hapur për rëndësinë që Dafina ka pasur në jetën dhe rrugëtimin e tij profesional, duke vlerësuar lidhjen e tyre të hershme dhe duke e cilësuar vitin që lamë pas si të veçantë, edhe për faktin se këngëtarja është bërë nënë.

Në një moment emocional, ai kërkoi ndjesë publikisht për keqkuptimet dhe lëndimet e së shkuarës, duke shprehur dëshirën për të mbyllur çdo kapitull të vjetër.