Kryebashkiakja e Durrësit me ftesë të kryetarit të bashkisë së Zadarit Branko Dukić, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë zyrtare në këtë qytet të Kroacisë.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Sako shkruan se kanë biseduar lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, si turizmi, kultura apo zhvillimi urban.
Postimi i plotë:
Në përgjigje të ftesës së kryetarit të bashkisë së Zadarit zhvillova një vizitë zyrtare në këtë qytet të Kroacisë me të cilin kemi një marrëveshje binjakëzimi.
Në takimin me kryebashkiakun, Branko Dukić, bashkëbiseduam lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, si turizmi, kultura apo zhvillimi urban, nisur edhe nga ngjashmëritë midis dy qyteteve tona. Në këtë takim merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, deputetja me origjinë shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, konsulli i nderit i Shqipërisë në Zadar, Anton Dedaj, kreu i dhomës së tregtisë të Zadarit, Denis Ikić, drejtoresha e turizmit, Iva Bencun, drejtori i planifikimit dhe infrastrukturës, Darko Kasap, drejtoresha e administrimit të fondeve të BE, Stefani Mikulec Perković.
Në diskutimet me palën kroate prezantova qytetin e Durrësit me të gjithë potencialin e tij turistik dhe ekonomik si dhe u ndala ne investimet kryesore strategjike apo edhe nismat kryesore në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë.
Gjithashtu shkëmbyem eksperiencat tona lidhur me zbatimin e projekteve të BE-së si edhe vendosjen e partneritetit me Bashkinë e Zadarit për të aplikuar në thirrjet e reja në programet më të fundit të financimit të BE.
Pas këtij takimi vizituam qendrën historike të Zadarit.