Dy të rinj nga Shijaku kanë përfunduar në pranga, pasi akuzohen që kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth 1750 euro dhe 102500 lekë të rinj.
Erald Allushi 19 vjeç, dhe Armando Reka 18 vjeç, të dy banues në Shijak, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur banesën e shtetasit M.Gj. 55 vjeç në fshatin Pjezë, ku sipas burimeve policore, kanë marrë rreth 600 € dhe 100 000 lekë të rinj.
Por kjo nuk ishte vjedhja e vetme që kanë realizuar dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Në sajë të veprimeve hetimore profesionale, ka rezultuar se ata janë të dyshuar si autorë edhe të vjedhjes së banesës së shtetases L.Sh. 66 vjeçe, banuese në Shijak. Ngjarja ka ndodhur më 20.11.2015, ku kanë marrë 1150 €, 2 500 lekë dhe një telefon të markës “Nokia”.
Ndaj dy autorëve nuk rëndon vetëm akuza e vjedhjes, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, efektivët e policisë gjetën një granatë ofensive me ndezës të montuar dhe një kallëp tritoli me ndezës elektrik të montuar.
Veç mjeteve luftarake, në banesat e tyre u sekuestruan rreth 100 € dhe 60 000 lekë (të rinj), të cilat dyshohen se janë pjesë e parave që kanë marrë gjatë grabitjes.





