Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka deklaruar se buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se ky është buxheti më i madh i parashikuar për shëndetësinë, me një rritje prej 5% nga viti i kaluar.
“Buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro. Ky është buxheti më i madh ndonjëherë për sektorin, me rritje prej 5% nga viti i kaluar dhe një fokus të fortë në tre shtylla kryesore: Mbulim universal për qytetarët, me reduktim kostosh, shërbime të zgjeruara dhe rritje aksesi në vendbanim. Financime për fëmijët në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë vulnerabël.
Vlerësim i personelit shëndetësor përmes përmirësimit të kushteve dhe rritjes së pagave.
Investime historike për modernizim: Ndërtime të reja, rikonstruksione në spitale dhe qendra shëndetësore anembanë vendit. Do të hapen kantiere të rëndësishme si ai i Spitalit Rajonal Korçë dhe rikonstruksioni i pavioneve kyçe në QSUT dhe spitalet rajonale.
Në kujdesin parësor, parashikojmë 7.6 milionë vizita dhe vazhdojmë me rimbursimin për fishat e diabetit dhe barnat për 400 mijë qytetarë. Në kujdesin dytësor, mbështesim trajtime jetësore, përfshirë transplantin e veshkave, dializën dhe paketën e fertilitetit për 150 familje të reja. Në fushën e Mbrojtjes Sociale, mbështesim me ndihmë financiare 62 mijë familje me skemën e ndihmës ekonomike me vlerë 7.2 miliardë lekë.
Nga skema e Aftesisë së kufizuar do të përfitojnë 91 mijë e 240 qytetarë me AK me vlerë 15 miliardë lekë.
Vijojmë mbeshtetjen për institucionet e përkujdesit social, për fëmijët, të moshuarit e shtresat në nevojë me një vlerë prej 1.3 miliardë lekësh.
Buxheti 2025 reflekton një angazhim të fortë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen sociale, duke garantuar një standard të denjë për të gjithë qytetarët tanë”, shkruan Koçiu.