Me tre vende të para në Kampionatin Mbarëkombëtar të “Bodybuilding & fitness” sportisti durrsak Edmond Methasani ka provuar se është “Herkuli” i kohëve moderne.
Sportisti 37-vjeçar ka marrë vendin e parë në kategoritë ” Classic bodybulding”, ” Absolut classic bodybulding” dhe kampion mbarëkombëtar i aktivitetit që mblodhi në Tiranë sportistët më të mirë nga Shqipëria dhe Kosova.
Ky është viti i dytë që bodybuilder-i nga Durrësi fiton këto çmime të rëndësishme në nivel mbarëkombëtar, ndërkohë që ai mban gjithashtu titullin e kampionit të Evropës në këtë disiplinë.
Krahas Methasanit, një paraqitje shumë të mirë në kampionat bënë edhe 5 bodybuider-at e tjera nga Durrësi, si Bruno Nuho, Irdi Kashari, Ramazan Qela, Shkëlqim Sabrija dhe Marjan Hoxha, të shpallur fitues në kategoritë respektive të këtij sporti, që kërkon një disiplinë të hekurt në palestër dhe regjim shumë strikt ushqimor.
Të gjithë djemtë nga Durrësi do të përfaqësojnë vendin tonë në kampionatin Evropian të “Bodybuilding & Fitness”, që starton në Spanjë ditën e nesërme për t’u përmbyllur më 5 nëntor. Ata udhëtojnë sot drejt Spanjës për t’u përballur me rivalët e tyre nga vende të ndryshme të kontinentit të vjetër.
Methasani thotë për “DurrësLajm” se ai synon të përsërisë suksesin e një viti më parë, ndërkohë që dhe sportistët e tjerë synojnë të paraqiten sa më mirë dhe pse jo dhe medalje në këtë event ndërkombëtar.