Vijojnë operacionet me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Shkëmbimi i informacionit me homologët gjermanë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Partners” çoi në lokalizimin në Gjermani, kapjen dhe arrestimin e shtetasit kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: F. I., 62 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Durrësit, me vendimin e datës 03.02.2022, i ka caktuar masen e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Ngacmimi seksual”. Shtetasi F. I. dyshohet se ka kanosur një shtetase, për dhënien e 5000 eurove, që të mos publikonte video intime të saj. Gjithashtu, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e kësaj shtetaseje.

Kapja e këtij shtetasi ishte rezultat i informacionit të siguruar nga Policia shqiptare dhe i shkëmbimit të tij me homologët gjermanë.

Interpol Tirana dhe Interpol Wiesbaden po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.