Shqiptarët, edhe pse me treguesit ekonomikë dhe të mirëqenies janë më dobët se në rajon, jetojnë më gjatë.

Sipas të dhënave të Eurostat, një shqiptar në moshën 65 vjeç jeton mesatarisht edhe 17.5 vite, më shumë se çdo banor tjetër i rajonit, por 3-5 vite më pak se moshatarët e tyre në vendet e BE.

Jetëgjatësia në vendet e Ballkanit Perëndimor është më pak se 17 vite për personat 65 vjeç. Të dhënat tregojnë se pas shqiptarëve, jetojnë të moshuarit maqedonas me 16.4 vite jetë, malazezët me 16 vite dhe serbët po kaq.

Në BE jetojnë më gjatë 65-vjeçarët në kryeqytetin spanjoll, Madrid me mesatarisht, 23.2 vite jetë.

Në vitin 2018, një banor i BE-së që ka mbijetuar deri në moshën 65 vjeç, pret të jetojë mesatarisht edhe 20 vite të tjera. Nivelet më të larta të jetëgjatësisë në këtë moshë u regjistruan në një seri rajonesh nga Spanja veriore nëpër pjesën më të madhe të Francës perëndimore dhe jugore dhe në pjesët veriore dhe qendrore të Italisë, si dhe rajonin veriperëndimor grek të Ipeiros.

Një analizë më e detajuar e rajoneve të nivelit të dytë zbulon se në vitin 2018, një person në moshën 65 vjeç që jeton në rajonin e Madridit pret të jetojë edhe 23.2 vjet të tjera, mesatarisht, dhe po kështu edhe 65-vjeçarët e Rajonit Ile de France presin të jetojnë 23.0 vjet.

Në të kundërt, jetëgjatësia për 65-vjeçarët është dukshëm më e ulët në shumicën dërrmuese të rajoneve në vendet anëtare të Lindjes dhe Baltikut. Nivelet më të ulëta të jetëgjatësisë në 65 vjet janë regjistruar në dy rajone bullgare, ku një person 65 vjeç mund të presë të jetojë, mesatarisht, edhe 15,7 vjet.

Në fund të viteve 2030, jetëgjatësia mesatare për burrat shqiptarë do të jetë 80 vjeç dhe për gratë 83.5 vite, sipas projeksioneve bazë të INSTAT të publikuara këto ditë.

Në vitin 2017, jetëgjatësia në lindje u llogarit 77,4 vite për burrat dhe 80 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë rreth 3 vite më shumë se burrat. Kjo distancë parashikohet të ruhet edhe në dekadën në vijim.

Projeksionet e jetëgjatësisë morën për bazë indikatorin jetëgjatësinë në lindje. Jetëgjatësia në lindje varet nga gjinia sepse natyralisht gratë kanë gjithmonë jetëgjatësi më të lartë se burrat. Të tria hipotezat e ISTAT projektojnë rritjen e jetëgjatësisë në lindje, por me ritme të ndryshme sipas varianteve./Monitor