Tiranë, 9 shtator 2014 –  “Më ka hequr zemrën, nuk më ka hequr hundën. Deshi të më shëmtojë përjetë. Deshi dhe të më vrasë e të më nxjerrë sytë”. Miranda Hysaj e nis me këtë fjali rrëfimin e saj per “Panorama” për tmerrin e përjetuar mëngjesin e 30 gushtit, kur u dhunua nga bashkëshorti i saj, i cili i këputi hundën duke ia kafshuar me dhëmbë. 

Gruaja vazhdon të jetë e shtruar në repartin e kirurgjisë faciale në Spitalin Ushtarak, në një dhomë në kat të dytë.

Plagën e rëndë në pjesën e hundës e ka të mbuluar, ndërsa në syrin e djathtë është e vështirë të shquash beben. Sipas saj, Shkëlqim Hysaj, para se t’i këpuste hundën, ka dashur t’i nxjerrë sytë. Miranda është shpërfytyruar.

Sipas saj, bashkëshorti ka dashur në fillim ta godasë me thikë e më pas është përpjekur me duar t’i nxjerrë sytë.

Në momentin që ajo ka tentuar të shmanget ai e ka kafshuar në hundë dhe buzë. Sipas gruas, Shkëlqimi ka marrë më pas të gjitha lekët që ndodheshin në shtëpi dhe ka tentuar të largohet bashkë me vajzën.

“Deshi të marrë dhe vajzën me vete dhe, siç më tregoi ajo, e ka tërhequr zvarrë deri te porta. Kur e ka gjetur portën të kyçur, e ka lënë vajzën dhe vetë ka kaluar mbi murin rrethues të shtëpisë. Mbi mur kishte qelqe të thyera dhe aty i ka prerë dhe gishtat, që tregonte të fashuara në Gjykatë” rrëfen ajo.

Sipas saj, gjithçka ka ndodhur pasi për një kohë të gjatë ata kanë jetuar larg njëri tjetrit dhe për këtë arsye dashuria kishte filluar të zbehej. Ajo pranon se kanë pasur konflikte si çdo çift, por asnjëherë të kësaj natyre.

Pavarësisht shpërfytyrimit që i ka bërë Miranda e fal bashkëshortin e saj.

“E fal. Një urrejtje e kam ndaj tij, por gjithsesi e fal. I kisha thënë edhe më parë, nëse nuk donte të ishim bashkëshortë, le të më linte të qetë, le të ndaheshim. Por këtë nuk duhet të ma bënte. Më vjen keq për të, se është babai i fëmijëve të mi”, thotë ajo.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 30 gusht 2014 rreth orës 4:30 të mëngjesit, kur shtetasi Shkëlqim Hysa, që mbahet në arrest me burg, i kafshoi hundën gruas së tij. Grupi i hetimit ka urdhëruar kryerjen e ekspertizave të nevojshme mjekoligjore për përcaktimin e shkallës së dëmtimit të gruas. Po kështu janë duke u ekspertuar edhe disa dëmtime fizike të personit të arrestuar për dhunë në familje dhe plagosje, shtetasit Shkëlqim Hysa, i cili ka disa shenja dëmtimesh në duar, që duket se janë shkaktuar me mjete mprehëse. Organi i akuzës mësohet se është duke kryer edhe verifikimet e nevojshme shkencore, për të provuar se hunda që i është hequr gruas nga fytyra i përket të dëmtuarës. Për këtë mësohet se po zhvillohen analizat biologjike të nevojshme për të rrëzuar çdo pretendim të palës mbrojtëse në favor të autorit të krimit.