Mani Sula, një qytetar nga Thana, Lushnje tregon për “Stop” në Tv Klan se prej thuajse një viti bashkëshortja e ka përzënë nga shtëpia. Ajo është pajisur edhe me urdhër mbrojtjeje për dhunë dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe qytetari sepse thotë se djemtë e tij, 15 e 17 vjeç dhe bashkëshortja e kanë dhunuar.

Dyshimi i tij kryesor është se djemtë nuk janë të tijtë sepse në martesën e tyre 30-vjeçare fëmijët erdhën pas 12 vjetësh, ndërkohë që mjeku i kishte thënë se ishte steril. Ish-bashkëshortja Shpresa, mohoi çdo pretendim të zotërisë, ndërsa tha se i shoqi e akuzonte për moral kur ajo punonte në pastrimin e shtëpive.

Gazetarja: Cila ka qenë arsyeja e ndarjes tuaj?

Gruaja: Arsyeja ka qenë nga xhelozia. Më ka bërë mua krvë burri im! Unë ikja punoja nëpër të tjerët (pastrim shtëpie), ai më ka bërë mua krvë. Ka therur qenin…Nuk më theri dot mua atë natë, por theri qenin. Dhe mua do më therte, po nga ai çun e kam jetën.

Gazetarja: Dhe ai pretendon, se ju keni dashur ta dhunoni, bashkë me fëmijët.

Gruaja: Jo, nuk është e vërtetë, motër. Ai ka 7 muaj, që nuk vjen në shtëpi. Ka ikur vetë nga shtëpia, s’e kam përzënë unë. E ka përzënë gjykata nga shtëpia, më erdhi mua natën, do më vriste me kosore.

Gazetarja: Djali pse i flet me atë lloj gjuhe babait, cila është arsyeja?

Gruaja: Çfarë po i thotë djali, çfarë po i thotë motër? Asnjë lloj gjëje nuk po i thotë.

Gazetarja: Ai ka një video që ju i prisni çizmet…

Gruaja: Ku e ka videon ai? Paska video ai! I paskam prerë unë çizmet. Më vishte mua atletet e mia, atletet e fëmijëve. Pse vesh ai rrobat e mia, pantallonat e mia, atletet e mia? I kam për vete unë. Unë kam ndenjur 12 vite pa fëmijë.

Gazetarja: Pse keni qëndruar 12 vjet pa fëmijë nëse mund t’ju pyes?

Gruaja: Kemi pasur probleme të dy. U vizituam, u kontrolluam të dy, bëra fëmijë.

Gazetarja: Po djemtë i keni çuar në shkollë

Gruaja: Për çfarë do vejë djali në shkollë? Rri mbrapa nënës se rri i ati me thika. Në çdo vend, që vete unë, me fëmijët e mi vete.

Gazetarja: Po atë ditë që ishit në Berat, pse nuk ishin fëmijët tuaj?

Gruaja: Kisha plakun me vete, babanë.

Gazetarja: Po edhe babai aty ishte.

Gruaja: E kisha me vete unë babanë.

Gazetarja: Po kush ishte ai burri që ishte në shtëpi?

Gruaja: Kush burrë me, ka qenë në shtëpi?

Për sa i përket banesës, zonja thotë se është shtëpia e saj dhe e burrit, por Maniu pretendon se është banesa e motrës së tij. Në kadastër trualli mbi të cilin është ndërtuar kjo shtëpi, është në emër të nënës së zotërisë ndërsa për shtëpinë nuk janë kryer veprime.

Jorjeta Sinjari, specialiste e Shërbimit Social në bashkinë Lushnje, thotë se është në dijeni të rastit. Sipas saj, bashkia Lushnje ofron bonusin e strehimit që do të thotë se Mani Sula do të gjejë shtëpinë dhe do të paguhet nga bashkia derisa të zgjidhet situata./tvklan