Babai i 10-vjeçarit që humbi jetën në Tepelenë pas një gjendje gripale, ka rrëfyer momentet e fundit të të birit dhe problemet e tij shëndetësore.

Në një prononcim për News24, ai thotë se i biri i vdiq në krahë, ndërsa ishte duke e dërguar në spital. Babai tregon se 10-vjeçari vuante nga migrena prej 1 viti e gjysmë.

"Unë jam babai i djalit. Djalin e kisha me migrenë. E çova në Tiranë, në Gjirokastër, por nuk i tregoi gjë skaneri. I merrja ilaçet çdo dy muaj. Kishte një vit e gjysmë i sëmurë, i bija pas me ilaç. Kur e çova në spital, ishte në gjendje të mirë me 39 ajo i bëri gjilpërë dhe për momentin ia uli në 36, normal. Nga ora 4 e natës unë nuk arrita dot në spital që ta çoja. Më ka vdekur në krahë, në shpatullat e mia. Temperatura i nisi dje. Më shumë e sulmonte migrena. Më thanë mjekët ta çoja në Gjirokastër, por nuk e çova sepse u bë më mirë. Dje më llafoste, bënim qyfyre. I dhashë dhe kos, hëngri bukë. Nusja i dha ilaçet e migrenës. Ishte normal. Sot në 4 të mëngjesit unë nuk munda të shkoja në spital, nuk kishin faj mjekët. Më kërkoi ujë, i thashë je mirë babi. Mirë jam më tha, po sa e çova atje lart këputi kokën", tha babai i 10-vjeçarit.