Nga BUJAR QESJA

Është lindur me 9 shtator 1972. E kam njohur 20 vite më pas. Kulmet i ka patur në vitin 1993 dhe 1994. Për të parë dhe prekur sadopak se si të shkon jeta, duhet të shprehemi se çfarë i ndodhi në vitin 1993 dhe çfarë pozicioni pati në vitin 1994. Shpëtim Kapidani, kur “Teuta” e Durrësit në futboll ishte grumbulluar në fshatin slloven të Cerklje-s, pranë qendrës Kamnik dhe 15 kilometra larg Lubjanës, ishte pjesë i ekipit.

Nën presidencës e shqiptarit të madh nga Sllovenia Abdurrahim Sulimani, që thërritej shkurt Xhimi, “Teuta” kërkonte që sezonin më të afërt, të synonte për herë të paë në historinë e saj titullin kampion. Ishte ofruar nga brezat më të artë të futbollit durrsak, nën komandën e specialistëve dhe trajnuesve të aftë Edmond Miha dhe Bashkim Koka, me mbështetjen e fuqishme edhe të Stavri Nicës.

Pas disa ditë stërvitjesh, mësojmë se në një ditë gushti të vitit 1993, në mesnatë, kishin organizuar aventurën e “arratisjes”, dy nga titullarët e ekipit Shpëtim Kapidani dhe Elton Koça. Ishin fillimet e ndryshimit të sistemeve dhe etja për të parë dhe shijuar perendimin ishin e mëdhe, veçanërisht tek rinia. Dalin nga porti i Koperit në Trieste dhe prej andej kalojnë në Zvicër.

Për fat aventura nuk u eci, sepse për mungesë motivimi të qendrimit i rikthejnë në Durrës. Ndërkohë opinionin qytetar dhe futbolldashës i Durrësit ziente, pasi dy nga djemtë më të mirë të tyre, nuk do t’i jepnin zjarr dëshirës për të marrë më në fund një titull kampion. Por rikthimi i tyre krijoi entuziazëm.

Zhurma e “arratisjes”, u sfumua shumë shpejt dhe të dy djemtë e artë të futbollit, iu nënshtruan stërvitjes dhe u kthyen në identitet. Pastaj dihen se si rrodhën ngjarjet. Shpëtim Kapidani dhe Elton Koça, janë në arkivën e shdritshme të futbollit të Durrësit, me atë titull të parë të kampionit, e veçantë në tërë historinë e krijimit të “Teutës”, nga kampionati i parë kombëtar i vitit 1930.

Durrësi luajti vendit. Durrsakët mbajtën frymën. Teksa ktheheshin nga Lezha me kupën e kampionit me 30 prill 1994, i gjithë populli i Durrësit doli t’i presë tek “Ura e Dajlanit” heronjtë e tij, duke i mbajtur në krah, e duke i dërguar në qendër të pjacës, ku do të zhvillohej nga mitingjet më të pabesueshme dhe më tronditëse.

Dhe njërin prej heronjve të 94-trës, ku u bë pjesë edhe i ekipit kombëtar “Shpresa”, me emrin Shpëtim Kapidani, e prita në “rezidencën” time aq të thjeshtë, por aq të ëmbël dhe aq joshëse për bashkëqytetarët e mi, veçanërisht ato që vijnë nga shtetet e huaja. Më kishte marrë malli për Shpëtim Kapidanin dhe m’u duk sikur në derë, më erdhi i gjithë ekipi kampion i 94-trës.

-Kam dy ditë që kam ardhë. Rregullova varret e nënës dhe të babait. Vura një dorë edhe tek shtëpia e vjetër, ku prej vitesh nuk jeton njeri. Do të qendroj në Durrës edhe një javë sa të çmallem dhe sigurisht do të kthehem atje, ku po konsumoj pjesën e dytë të jetës time.

Kështu e nisi bisedën, futbollisti nga më të njohurit e viteve 90-të Shpëtim Kapidani. Pimë nga një lëng portokalli, që na ngacmoi kujtesën e atyre viteve. Timi tani është 52 vjeçar dhe sillnim në vëmëndje ngjarje të 30 viteve të shkuara.

Përmëndëm Mond Mihan, Bashkim Kokën, Stavri Nicën, Vladimir Ajazin, Filip Xhain dhe me rradhë ato që jetojnë jashtë vendit si Alvaro Zalla, Elton Koça, Ardian Dashi, Dashamir Disha, Ilir Dashi, Eugen Xhakoni, Nesti Qendro, Artan Vila, Alban Mehmeti dhe ato që qendrojnë në Durrës: Ardian Abazi, Mikel Furrxhi, Xhevahir Kapllani, Ilir Alliu, dhe Brajan Fraholli. Por nuk harruam edhe Haxhi Ballgjinin, trajnerin e ekipit kampion.

Shpëtim Kapidani është me një vajzë, të bukurën e dheut. Quhet Anxhela Kapidani, ku Timi len kokën për të. Studion për kriminalistikë. E një djalë vëllai, i ka bërë për të qarë, teksa mbron disertacion të rëndësishëm për neurologji, duke thelluar njohuritë për sëmundjen e parkinsonit.

-Kemi qarë si fëmijë, nënvizon në reagimin e tij Shpëtim Kapideni, ku 26 vjeçari ynë mbron dhe argumenton me autoritet temën e studimit. I tërë komisioni i universitetit të Komos, jep miratimin unanim. Tani kemi vertet një kapidan në fushën e mjeksisë.

Jeta në Itali për Shpëtim Kapidanin është e vrullshme, shumë aktive, e ngarkuar në mbi 13-14 orë punë, por e lodhshme. Ekonomia e tregut ia ka përmirësuar ekonominë dhe financat, por edhe e ngarkon tërë kohën, aq sa nuk merr frymë.

Në Komo ku punon, është angazhuar me detyrën e brigadierit për 12 punonjës, por edhe vetë është i detyruar të kryej çdo punë. E nis nga lavazhet e makinave, tek distrubutori i furnizimit me karburant të automjeteve, sherben në banak, tek arka, pastron, aq sa kur vjen fundi i ditës, mban belin me dorë.

-Më merr malli të pi një kafe, siç pihet këtu në Durrës. Në këmbë rrufis kafenë. Edhe bukën nga ngarkesa e punëve e ndërpres, pasi të duhet të ngrihesh disa herë. Dal herët nga shtëpia dhe kthehem vonë në mbrëmje. Por edhe kjo jetë ka natyrën e saj, pse jo edhe kënaqësitë e saj. Pronarët janë të mirë dhe besojnë shumë tek unë. Në tërësi opinioni për ne shqiptarët në Itali, është plotësisht favorizues për ne.

Kalojmë disa orë me kujtime dhe jeta vjen mirë kështu. Me lapsin në dorë, duke shkruar në shtypin e kohës, me zërin në mikrofon, me figurën fiksuar në ekranin e televizorit, besoj se kam dhënë ndihmesën time, në afirmimin e vlerave qytetare dhe sportive të Durrësit, qytetit tonë të përbashkët të lindjes.

Dhe Shpëtim Kapidani ma përmënd këtë, si shenjë e lidhjeve shpirtërore të përbashkëta të gazetarit, me lëndën e parë të punës siç ishte “Teuta” jonë e bukur dhe argëtuese e viteve 90-të -2000.
Shpëtim Kapidani, i “arratisuri” i 93-shit! Shpëtim Kapidani, kampioni i madh i 94-trës! Shpëtim Kapidani, faqja e bardhë e durrsakut të lumtur dhe punëtorit të madh në qytetin Komo, në verilindje të Italisë dhe në kufi me Zvicrën!

Durrsakët nuk të harrojnë shërbimin, ashtu sikundër mirnjohjen për respektin që ende tregon për ta. Vizitat e tua Shpëtim Kapidani në Durrës, janë pluse që të masin mallin dhe dashurinë, për këtë qytet nga më të bukurit.

Paç gjithnjë mbarësi Shpëtim, bukuria dhe mirësia e durrsakut!

Bujar Qesja
Durrës: 3 tetor 2024

Foto 1
Në pamje, nga e djathta Shpëtim Kapidani dhe Bujar Qesja.

Foto 2
Kampioni i 94-trës Shpëtim Kapidani, ditën kur u vendos titulli. Ishte dielë, 23 prill 1994.