1dhjetor 2015 – Gjashtë persona janë arrestuar me akuzën e “Mashtrimit kompjuterik”. Prokuroria e Tiranës thotë se ata dyshohet se vidhnin shuma bankare nëpërmjet kartave të klonuara. Në një njoftim për mediat thuhet se të arrestuarit kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash nga bankomatët e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, raporton Panorama.
“Këta shtetas, me banim në Lushnje dhe Kavajë, pasi kanë falsifikuar karta debiti (tërheqje parash) kanë tërhequr shuma të ndryshme në bankomate në Lushnje, Kavajë dhe Durrës dhe i kanë shpenzuar ato për blerje karburanti për automjetet e tyre ose për sende të tjera”,-njofton prokuroria.
Organi i akuzës thekson se hetimi ka nisur në bazë të informacionit të mbërritur nga selia qendrore e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, e cila kishte konstatuar ndërhyrje të paligjshme në sistemin e saj, nëpërmjet një karte amerikane.
Nga verifikimet e saj, banka ka krijuar dyshime se karta amerikane ishte e klonuar dhe nëpërmjet saj po tërhiqeshin shuma të konsiderueshme. Nga hetimi rezultoi se personat, për të cilët është nxjerrë urdhër ndalimi, kanë tentuar të kryejnë transaksione (tërheqje) edhe nga disa karta të tjera, por këto tentativa kanë rezultuar të pasuksesshme.
“E vetmja kartë që u ka funksionuar ka qenë ajo me të dhëna amerikane (të falsifikuara), të cilën, krahas bankomatëve, e kanë përdorur edhe në disa pika karburanti në zonën e Lushnjës dhe Kavajës. Pikërisht, nga të dhënat e përftuara në këto pika karburanti, është arritur të zbulohen personat e dyshuar. Këta shtetas, gjatë periudhën qershor-korrik 2015, kanë furnizuar me karburant mjetet në pronësi ose në disponim të tyre në disa pika karburanti në vlerë disa milionë lekë, nëpërmjet pagesës me kartë. Po ashtu, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky grup personash ka tërhequr shuma të konsiderueshme edhe nga bankomatët”, njofton prokuroria.
Aktualisht, puna e prokurorisë është përqendruar në saktësimin e shumës së plotë të marrë prej tyre nëpërmjet klonimit të kartave të debitit.
Për personat që dyshohet se janë përfshirë në veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, Prokuroria Tiranë ka nxjerrë urdhërat e ndalimit. E konkretisht, për shtetasit:
Klodjan (Klajdi) Kodheli, 23 vjeç
Sajmir Krasnaj, 27 vjeç
Denilson Dusha (Vilson Camko), 27 vjeç
Besmir Kollçaku, 23 vjeç
Andi Hylviu, 22 vjeç
Marius Shehi, 22 vjeç
/portali DurrësLajm/