Mondi Voga është 44-vjeçari nga Fushë Kruja i arrestuar nga Policia e Tiranës pasi është kapur me armë zjarri dhe makinë të blinduar.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Voga lëvizte me makinë të blinduar në rrugën interurbane Vorë-Krujë dhe përdorte sisteme pamore shtesë. Sapo policia ka vënë re këtë të fundit, e ka ndaluar 44-vjeçarin dhe pas kontrollit ka rezultuar se Mondi Voga drejtonte automjetin e blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit. Gjatë kontrollit i është gjetur edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT.
Automjeti i blinduar është sekuestruar dhe ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa Mondi Voga është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”.
Mondi Voga është miku i prokurorit Arjan Ndoja, i cili ra pre e një atentati në muajin tetor 2019. Në vitin 2018, në muajin korrik, i arrestuari Mondi Voga u shpall në kërkim nga Policia, pasi akuzohej për dhunë ndaj avokatit Ilia Ilia. Ngjarja ndodhi përballë Gjyaktës së Durrësit dhe u filmua nga kamerat e sigurisë.





