Nis sot viti i ri shkollor 2020-2021, teksa rreth 480 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollave në një situatë aspak të zakonshme.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e COVID-19. Kështu, ndryshe nga vitet e tjera, ky vit shkollor do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska.

Mësohet se rreth 30 mijë mësues të angazhuar për vitin e ri shkollor, ndërkohë që mësimi nuk do të nisë në të gjitha shkollat, pasi disa prej tyre janë në fazë rikonstruktimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.

Nga të dhënat e Zyrës Vendore Arsimore Durrës mësohet se në vitin e ri mësimor 2020-2021, në Durrës janë plot 24 624 nxënës që më 14 shtator ulen në bankat e shkollës me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë; 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 janë maturantë.

Po kështu në Durrës:

  • 5 shkolla do të zhvillojnë mësim në një turn. Numri i nxënësve të këtyre shkollave është 1644. Në këto shkolla plotësohen kushtet për realizimin me orë të plota 45 minutëshe.
  • 6 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 1918. Në mjediset e këtyre shkollave mësimi mund të realizohet i plotë, pasi ato nuk operojnë si shkolla pritëse të një IAP-je tjetër.
  • 33 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 16828. Këtu përfshihen të gjitha ato IAP ku godina përdoret prej dy shkollave njëkohësisht. Në këto kushte godinat përdoren me 2 turne paradite nga një shkollë, dhe 2 turne pasdite nga shkolla e dytë.
  • 2 shkolla do të zhvillojnë mësim me tre turne për arsye të numrit të madh të nxënësve dhe kapacitetet e kufizuara të godinës. Numri i nxënësve në këto shkolla është 1099.
  • 8 shkolla do të zhvillojnë mësim me 4 turne për arsyen e mësipërme. Numri i nxënësve 3735.