Emisioni “Just Dance” në Top Channel këtë javë do të shoqërohej me reagime të shumta, lidhur me disa komente të dhëna të dielën e shkuar nga koreografi Albi Nako, ku ai është anëtar jurie.

Nako i tha një konkurenteje se i dukej si një personazh tipik i atyre filmave “Planeti i majmunëve”. Sipas tij, 40-vjeçarja më mirë të martohej dhe të bëjë fëmijë, sesa të vazhdojë konkurimin.

Ndonëse deklarata ishte për të tërhequr vëmendjen e ndjekësve tek emisioni i ri, zemëroi opinionin publik, çka duket se e detyroi artistin të kërkonte ditën e sotme ndjesë.

“Dua të bëj një sqarim, ajo që thashë ishte me humor. E theksoj, e thashë më humor. Kërkoj ndjesë sepse batuta ime ishte e tepruar. Nëse do i thosha bravo, je e shkëlqyer, askush nuk do e vinte re dhe do të kishte kaluar pa u vënë re. Kjo tregon përse fjalët e këqija kanë gravitet më të madh në shoqëri. Kjo nuk përjashton faktin që kam thënë ndonjë gjë të pamatur. Kam qenë gjithmonë mbështetës i femrës. Çdo gjë në jetë ka një masë të caktuar, ajo që duhet pa masë është kujdesi”, tha Nako.

“Nuk jam ndjerë mirë. Unë besoj ia ktheva përgjigjen në atë moment Albit. Ne njihemi prej vitesh dhe gjithmonë bëjmë shaka të dy. Albi më ka ndihmuar gjithë këto vite, unë e falenderoj shumë”, tha Bela nga ana tjeter.