Francë, 7 maj 2014 – Me një ngjarje aspak të zakontë janë përballur policët francezë të qytetit Annezinë, në veri të Francës. Një i dënuar me arrest shtëpie, ka thyer byrzylykun elektronik, që shërben për të treguar në çdo moment vendndodhjen e të dënuarit, dhe është dorëzuar në polici.
Burri ka deklaruar se nuk e duronte dot situatën e krijuar në shtëpinë e tij, dhe më mirë sesa të përballej me të shoqen parapëlqente të rrinte në burg.
50 vjeçari Philippe Brongniart, ishte kohë më parë drejtuesi i përgjithshëm i një grupi të madh restauruesish. Pas ndarjes nga gruaja e parë u bë alkoolist, ndërkohë që në vitin 2013, gjykata vendosi që dënimin e dhënë prej saj, 50 vjeçari ta kalonte në kushtet e shtëpisë.
Por situata e krijuar në shtëpi me gruan e dytë, duket se e ka bindur 50 vjeçarin se burgu ishte alternativa më e mirë. Kërkesa e tij për t’u kthyer në burg nuk është pranuar dhe tashmë pritet që gjykata të japë verdiktin e saj.
Ndërkohë avokati mbrojtës i Brongniart ka deklaruar se gjesti i kryer nga klienti i tij nuk ishte i paramenduar, por spontan. Sipas avokatit, burri nuk ka arritur të ambientohet me situatën e re, pas daljes nga burgu, dhe për këtë shkak ka kaluar situata të vështira në familje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





