SARANDE/ Autorja: Kamerieri më shqetësonte prej 2 ditësh në telefon.
28 dhjetor 2013 – “Nuk jam penduar për atë që kam bërë. Më ra në qafë pa i dhënë shkak, më nxiu jetën. I kërkova të mos më merrte në telefon dhe as të më dërgonte SMS, por ai vazhdonte në të tijën”. E.Gaçi, 22-vjeçarja e arrestuar të enjten për plagosjen rëndë të një kamerieri 25 vjeç në Delvinë, ka dhënë dëshminë e saj në polici pas arrestimit. E reja, nënë e një fëmije, ka deklaruar se nuk e ka njohur më parë Ardenis Brahimin. “S’e kam njohur kurrë më parë këtë njeri dhe prandaj nuk kishte shkak të më ngacmonte përmes telefonit. Po nëse e merrte vesh burri, ngjarja do të ishte edhe më e rëndë mendoj unë. Nuk durova dot prandaj bëra vetëgjyqësi dhe këtë e bëra për t’u mbrojtur”, ka folur për specialistë të hetimit 22–vjeçarja delvinjote E.Gaçi. Burime të mirinformuara thanë për gazetën "Panorama"se autorja e plagosjes së kamerierit 25-vjeçar, Ardenis Brahimi, ndodhet në një dhomë të veçantë të paraburgimit të Sarandës, pasi komisariati i Delvinës nuk e ka një të tillë. Edhe pse paraqet shenja tronditjeje, përsëri ajo ka pohuar se: “Më ra në qafë kot dhe më mori në qafë”. Mësohet se kjo lojë telefonike dhe me SMS nga 25-vjeçari Brahimi kundrejt 22-vjeçares E.Gaçi kishte vetëm dy ditë që ndodhte.
E.Gaçi nga Delvina ndodhet e arrestuar pasi akuzohet si autore e dyshuar në kryerjen e veprës penale “plagosje e rëndë e kapërcim i kufijve të mbrojtjes” ndaj 25-vjeçarit Ardenis Brahimit, banor i fshatit Stjar. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së mërkurës në fshatin Stjar, atje ku edhe punonte i riu Brahimi. Brahimi i plagosur me thikë në anën e majtë të barkut, por jashtë rrezikut për jetën, pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi bluzat e bardha të Sarandës dyshojnë për dëmtim të brendshëm të organeve. Kjo ngjarje ende konsiderohet e pazbardhur, pasi veç deklaratës së të arrestuarës, për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk është marrë ende dëshmia e të lënduarit.





