*Të shtunën e 3 tetorit, ora 12.00 në pallatin e sportit "Ramazan Njala" premierë e Goga Basket

2 tetor 2015 – Është meritë e kryetarit të Shoqatës së Basketbollit Dhimitraq Goga, Perikli Goga, që Durrësit më në fund i kthehet basketbolli i femrave.

Pas një pause thuajse prej katër dekadash, të shtunën e 3 tetorit në orën 12:00 në “Ramazan Njala”, ekipi i femrave Goga Basket ndeshet me Studentin. Ekipi durrsak drejtohet nga mjeshtri i basketbollit shqiptar, 79-vjeçari Astrit Greva.

Mosha mesatare e Goga Basket është shumë e re, 21.7 vjeç. Goga Basket nuk parashikon të bëjë një konkurim normal në superligë, por pretendon edhe për trofe duke rivalizuar veçanërisht me Flamurtarin dhe Tiranën.

Ajo që kërkohet nga sportdashësit durrsakë është, mbështetja pa rezerva e kësaj dukurie inkurajuese të basketbollit të qytetit me shumë tradita. Fitorja e parë është hap inkurajues i ndjeshëm, në ngritjen e anës morale psikologjike të vajzave durrsake të përfaqësimit, ku shpresohet shumë që paraqitja të mos jetë thjesht formale.

Shoqata Goga Basket dhe presidenti i saj Perikli Goga, kërkojnë praninë e publikut në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala”, të shtunën e 3 tetorit.

“Mbase fitorja e parë, në hapin e parë pas një heshtjeje të gjatë. Të besojmë se do të ndodhë më e mira. Goga Basket në sfidë me historinë sportive të Durrësit. Rikthimi pas një përgjumje të   gjatë, i mirpritur. Më 3 tetor, ora 12:00 premiera e kampionatit. Nistë me të mbara për Goga Basket. Suksese!”

(Në foto: Ekipi i basketbollit të femrave Goga Basket, i drejtuar nga tekniku me përvojë Astrit Greva gjatë një takimi me presidentin e shoqatës Perikli Goga)

Nga Bujar Qesja

/portali DurresLajm/