Ndërsa jemi vetëm 4 ditë larg zgjedhjeve të pjesshme vendore për Bashkinë Durrës, qytetarët durrsakë dhanë për “DurrësLajm” mendimin e tyre, në lidhje me kandidatin që do ta drejtojë bashkinë të paktën edhe për një vit.
Qytetarët janë të dyzuar sa i përket fituesit, ndërsa ka nga ata që besojnë tek Partia Socialiste dhe drejtimi i Emiriana Sakos, duke shpresuar se kjo e fundit do të vazhdojë të punojë edhe për vitin e ardhshëm, ashtu siç ka punuar vitet e fundit.
“Unë them të vazhdojmë edhe pak kështu, jemi mirë. Po bëhet një ecopark i mrekullueshëm, që e ka zili dhe Ballkani, po bëhet një port shumë i bukur”, thotë një qytetar.
Mirëpo ka dhe nga ata pesimistë, të pakënaqur me drejtimin e Partisë Socialiste në këto 20 vite, të cilët thonë se nuk do t’i drejtohen kutive të votimit më 6 mars.
“Nuk votoj se gjithmonë vetëm mashtrime. Kam 22 vjet në Durrës dhe unë nuk di të jetë mbajtur ndonjë premtim, nuk kam besim, i kam shuar shpresat.”, thotë një qytetare.
“Nuk votoj. Jam e mërzitur se nuk është se kemi marrë ndonjë zgjidhje nga të gjithë kryetarët e bashkisë“, deklaron një tjetër.
Për të pakënaqurit zgjidhja është ndryshimi.
“Për rrugët kanë premtuar, që kanë kaq vite që nuk vendos njeri dorë“, thotë një qytetar, që deklaroi se mbështet kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, teksa shtoi se “koha është për ndryshim”.
“Ta marrin figurat e reja“, shprehu një tjetër duke iu referuar kandidatit Luan Hoti.
Megjithatë, në një pikë bashkohen të gjthë durrsakët:
“Në fushatë çdo gjë bëhet, premtime bëhen, por nuk është puna të bëhen, duhet të mbahen”.
K.Gj