Kryeministri Edi Rama, nga Berlini, ku Shqipëria u zgjodh vend nderi në Panairin e Turizmit, tha se për të shkuar aty nuk ka qenë e lehtë.

“Jemi në panairin më të madh të turizmit në botë. Nuk na afronin as te dera, as për punë vullnetare”, tha Rama teksa i përgjigjej një komentuesi.

“Ishte vështirë të imagjinohej pak vite më parë. Vjet kur kemi ardhur këtu ka qenë jo e lehtë, situatë skeptike, kemi bërë shumë biseda por pastaj vera e vjetshme ka ardhur shumë nga këto pararojat e vëzhgimit. Duam të arrijmë së paku gjysëm milion turistë gjermanë.

Janë turistë që shpenzojnë në mënyrë domethënëse, vijnë me të gjitha pretendimet dhe kategoritë. Nga ata që ngjiten nëpër male tek ata që shtrohen në diell. Kjo është një gjë shumë e mirë që na ka ndodhur. Imazhi ka ndryshuar shumë dhe mbrëmë ka marrë një formë shumë shumë të plotë”, tha Rama.