Francë, 26 prill 2014 – Një komisar policie dhe 3 agjentë francezë janë arrestuar ditën e enjte me akuzën e përdhunimit të një turisteje kanadeze, 34 vjeçare, në ambientet e komisariatit të policisë 36 Quai des Orfèvres, Paris.
Ngjarja është regjistruar ditën e martë. Dy nga agjentët e ndaluar të policisë e kanë takuar vajzën në një pub irlandez. Mesa duket vajza ka qenë e pirë dhe ka shkuar bashkë me dy policët në zyrat e tyre, pasi njëri prej agjentëve kishte harruar çelësat. Në zyrat e policisë ata janë takuar me dy agjentët e tjerë të ndaluar dhe më vonë nuk është ende e qartë se çfarë ka ndodhur konkretisht.
Pasi vajza ka kaluar natën në zyrat e katit të sipërm, turistja ka zbritur në komisariat, me flokë të çrregullta dhe e zbathur dhe ka akuzuar policët se e kanë përdhunuar.
Menjëherë IGPN-ja (SHKB-ja franceze) ka ndaluar 4 të akuzuarit dhe ka nisur hetimet. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, ka deklaruar nga Marseja se “nëse faktet do të konfirmojnë deklaratat e turistes, ndaj policëve do të ketë sanksione të rënda”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





