4 dhjetor 2015 – Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar dy të rinj gjimnazistë, njëri prej tyre djali 16-vjeçar i deputetit demokrat Mhill Fufi dhe një vajzë tjetër 17 vjeçe, shoqja e klasës së tij.
Në pranga kanë rënë G. F., 16 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë edhe shoqja e tij M. B., 17 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë.
G.F akuzohet për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa M.B akuzohet për 2 vepra penale, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Moskallëzim krimi”.
Policia gjithashtu ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj A. H., 16 vjeç, lindur e banues në Tiranë për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Ngjarja
Këta të rinj u arrestuan pasi më 1 dhjetor, G.F, nxënës në gjimnazin "Besnik Sykja" ka shkuar në mbështetje të disa shokëve të tij të cilët ishin duke u konfliktuar me disa persona pranë shkollës "Vasil Shanto". Me pretendimin për t’u sqaruar, pasi është përfshirë në këtë konflikt, ka gjuajtur me grushte njërin nga personat e palës tjetër.
Në këto kushte, djali i deputeti Fufi, i përfshirë në sherr është frikësuar pas kësaj situate të ndodhur, dhe për këtë arsye ai ka shkuar në qytetin e Laçit dhe ka marrë një pistolete “Ekol”, duke e mbajtur me vete në shkollë për vetëmbrojtje nga personat të cilët kishte goditur me grushte. Gjatë procesit të mësimit, ai ia ka dhënë pistoletën shoqes së shkollës me iniciale M. B, për ta mbajtur në çantë, e cila u arrestua nga policia gjithashtu.
/S.L. portali DurresLajm/





