12 tetor 2015 – Me plis në Paris. Kjo ishte thirrja e tifozëve shqiptarë, në mbështetje të ëndrrës së Kombëtares Kuqezi. Një moto e kthyer në realitet në mbrëmjen historike të 11 tetorit 2015 në Armeninë e largët. Qeleshja e kthyer tashmë në një simbol në mbështetje të përfaqësueses. Jo vetëm në stadium dhe në rrugë, por mbi të gjitha në ekipin kuqezi. Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Jerevan, De Biasi zbriti nga autobusi i Kombëtares me qeleshe në kokë. Trajneri dhe lojtarët e përfaqësueses kuqezi u pritën në hotel mes brohoritjeve të dhjetëra tifozëve që mbështetën skuadrën në afro 2600 kilometra distancë.
Që plisi të festonte në Paris mjaftoi pak. Pas ndeshjes, shqiptarët që jetojnë në kryeqytetin e Francës zbarkuan në rrugë. Fotografi me qeleshe dhe shqiponjë në kullën Eiffel. Festimet vazhduan me bori makinash, por mbi të gjitha me valle popullore në sheshin simbol të Parisit. Kualifikimi i Kombëtares në Euro 2016, bëri që nga arkiva të dalin edhe fotografi të hershme kur qeleshja kishte “pushtuar” më parë Parisin.Në vitet ’60, më tepër se gjysmë shekulli më parë, në kryeqytetin e Francës plisin e kishte çuar grupi i muzikës folklorike nga Drenoci i Malishevës, i drejtuar nga Feriz dhe Sali Krasniqi.
/portali DurresLajm/