Drejtuesi i ri politik i PS-së në Shkodër, Ilir Beqaj nuk ka humbur kohë por ka nisur nga puna me strukturat atje për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Mësohet se Beqaj ka zhvilluar një mbledhje prezantuese në Shkodër, ku ka vendosur prioritetet e punës atje si dhe i është përgjigjur shqetësimeve. Ai ka folur edhe për menyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë si dhe për ndryshimet në qeveri.

“Mbledhja e parë është formale, prezantuese edhe pse njihem prej vitesh. Për mua është privilegj që kthehem në Shkodër. Fillimisht puna jonë do përqendrohet në gjithë qarkun për zgjedhjet parlamentare. Kemi një boshllëk një vjeçar në punën e partisë dhe duhet të punojmë shumë.

Zgjedhjet lokale janë çështje që i di Presidenti, po zgjedhjet një ditë do të bëhen.

Sigurisht që jam i vetëdijshëm për problemet e partisë dhe drejtorëve. Drejtorët nuk janë një punë e imja por do shohim se si kanë punuar sepse kur vjen puna për legalizime ose funksione të tjera nuk ka të majtë e te djathte.

E kam pranuar me dëshirë propozimin e kryeministrit sepse në Shkodër e kam filluar politikën aktive. Në marrëdhëniet me kryeministrin kam një marrëdhënie sy më sy që zgjat shumë pak vendimmarrja”, tha ai.

Beqaj foli edhe për ndryshimet në qeveri, duke shtuar se kjo: “Është e drejtë e kryeministrit dhe 7 muaj para zgjedhjeve nuk është e lehtë të bëhen”.

Sa për problemet e PS-së në Shkodër, Beqaj nuk ia faturoi Ditmir Bushatit. “Bushati ka 14 muaj që e ka lënë PS, Shkodër dhe nuk mund të themi si e la ai PS këtu”, tha ai.