Një shqiptar është vënë në pranga pasi ka plagosur ish-gruan, të dashurin e saj dhe motrën e këtij të fundit. Të martën gjatë drekës, Pëllumb Jaupi 53 vjeç i doli në pritë ish-gruas para shtëpisë së saj në Morciano dhe e goditi me thikë në gjoks.

Pas krimit, Jaupi mori arratinë drejt Riminit, atje ku jeton dhe shkoi drejt një hoteli në Rivazzura.

“Erdha që të kërkoj për një punë për gruan time gjatë verës, do dëshiroja që të flas me pronarin”. Kështu u tha punonjësve dhe pas disa minutash u shfaq Nicola Scarcia.

Pasi shkëmbyen disa fjalë me njëri-tjetrin ata lëvizën drejt recepsionit. Aty Jaupi shprehu qëllimet e tij të vërteta. Ai i bërtiti pronarit të hotelit se i ka shkatërruar jetën dhe që gruaja ia ka thënë të gjitha.

Papritur nxorri një thikë kuzhine dhe e goditi disa herë. Një dëshmitar një vendin e ngjarjes, shok i Scarcia, tha se ka ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar pronarin e hotelit dhe të ndalonte shqiptarin. Menjëherë ka ndërhyrë edhe Barbara, motra e Scarcia, por edhe ajo u godit me thikë nga Jaupi. Fatmirësisht plagët për të ishin të lehta.

“Nicola u përpoq që të mbronte veten pavarësisht plagëve dhe gjakut që i rridhte. Mundëm që ta bllokonim Jaupin dhe thërritëm për ndihmë”, ka deklaruar shoku i të plagosurit.

Policia mbërriti brenda disa minutash dhe arrestoi shqiptarin. Tashmë ai duhet të japë llogari për disa vepra të rënda penale si tentativë e dyfishtë vrasjeje dhe plagosje e rëndë.

Shqiptari kishte qenë i dhunshëm ndaj gruas edhe më parë. Madje siç shkruajnë mediat, ngjarja e së martës mund të ishte evituar sepse Jaupi mund të ishte dënuar disa muaj më parë.

Në nëntor, një prokuror kishte kërkuar burg për shqiptarin. Kjo për arsyen sepse Jaupi, i cili kishte dy fëmijë me gruan, ia kishte bërë të pamundur jetën asaj pas ndarjes në vitin 2020.

Madje, 51-vjeçarja ishte detyruar që të që të kthehej në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes dhe kërcënimeve. Por tmerri filloi sërish sapo ajo ishte kthyer në Itali. Jaupi e kërcënonte, madje në disa raste edhe e dhunonte.