Prej pak javësh, banorë të një blloku pallatesh në lagjen nr.11, pranë gjykatës së shkallës së parë Durrës ndihen të shqetësuar. Disa prej tyre madje kufizojnë daljet e tyre jashtë shtëpisë, apo lëvizin vetëm të shoqëruar nga njerëz të tjerë të familjes, sepse i tremben reagimeve të një banoreje të re, që është vendosur në këtë zonë rreth 1 muaj më parë. Gruaja që shihni në videon e mbërritur në redaksi ka nisur të banojë rreth një muaj më parë në një shtëpi një katëshe të braktisur.

Jo vetëm banorët e zonës, por edhe qytetarë të shumtë të Durrësit e shohin në çdo orë të ditës këtë grua të re, që herë me shkop në dorë, herë me gurë apo thikë kërcënon dhe shfaq shenja agresiviteti në publik. Banorët thonë se kanë njoftuar edhe policinë, madje ka ardhur dhe një ekip mjekësor që i ka bërë një qetësues, por vetëm kaq. Në video dallohen qartë shenjat e agresivitetit që shfaq kjo grua e re, që duket se vuan nga probleme mendore. Klithmat e saj apo zhurmat që vijnë nga shtëpia e braktisur janë kthyer në makth për banorët e zonës, që në çdo orë të ditës apo natës përballen me një situatë të tillë.

Sipas banorëve, fqinja e tyre e re duket se ushtron edhe profesionin e prostitutës, sepse ata janë dëshmitarë që çdo nate në shtëpinë e saj futen burra të ndryshëm.

Megjithë raportimet e shpeshta dhe ankesat e banorëve, autoritetet nuk kanë ndërhyrë për t’i dhënë zgjidhje situatës. Shfaqja në mënyrë demostrative e sjelljeve agresive në publik, si dhe shfaqja e kësaj shtetaseje me sende të forta apo mjete të ftohta në duar duhet të shërbente si këmbanë alarmi për autoritetet, pasi në të ardhmen situata mund të përkeqësohet dhe të kalohet në raste të mirëfillta dhune. Braktisja e kësaj gruaje të re në një kohë kur ajo ka nevojë për trajtim të specializuar mjekësor dhe për më tepër mos reagimi i institucioneve  kur situata të tilla regjistrohen përditë në qendër të Durrësit dëshmojnë dështimin e autoriteteve për zgjidhjen e situatave të tilla që shqetësojnë qytetarët dhe rrezikojnë të shndërrohen në të ardhmen në ngjarje të kronikës së zezë.