Kryetari i Bashkisë së Dibrës Muharrem Rama ka zbardhur sherrin e ndodhur sot në këtë institucion.

Në një lidhje telefonike për News24, Rama tha se nga sherri kanë mbetur 4 persona të lënduar që ndodhen në spital me plagë në kokë. Ai tha se 30 persona, përfaqësues të PDIU-së kanë hyrë në bashki duke ushtruar dhunë.

Rama nuk ka mohuar që ishin paralajmëruar largime nga puna, por tha se punonjësit e sjellë nga PDIU kanë performancë të dobët. “Unë aktualisht jam në spitalin e Peshkopisë dhe po i japim ndihmën e duhur të lënduarve”, tha Rama.

Ka të shoqëruar nga bashkia?
Jo nga bashkia nuk ka asnjë të shoqëruar. Rreth orës 9 nuk kisha shkuar ende në zyrë sepse kam ardhur në 12 të natës nga Tirana pas një takimi. Rreth orës 9 më njoftojnë që një grup rreth 20-30 vetash kanë shkuar tek zyra ime dhe këta janë përfaqësues të PDIU-së me në krye nënkryetarin e bashkisë, përfaqësues i PDIU-së Olti Cami dhe disa punonjës të punësuar nga PDIU që janë me performancë shumë të dobët në bashki.

Dhe për këtë arsye duheshin larguar? Ka akuza se drejtori i burimeve njerëzore ka dashur të largojë pa të drejtë nga puna disa persona?
Jo nuk është e vërtetë, ne kemi bërë vetëm një transferim paralel nga drejtori i burimeve njerëzore në drejtor të ndihmës ekonomike. Nuk është e vërtetë se ka disa persona të lënduar dhe ky person ka dhënë dorëheqjen me detyrën e re të ngarkuar.

Çfarë ka ndodhur konkretisht, për çfarë ka qenë debati?
Konkretisht rreth orës 9 kanë ardhur rreth 30 veta, përfaqësues të PDIU kryesisht me në krye nënkryetarin Olti Cami dhe disa punonjës të punësuar nga PDIU në kohën që s’kam qenë unë kryetar me një performancë shumë të dobët në punë dhe ne si bashki duhet të ngremë performancën.

Gjithçka përfundoi me kaq, ky ka qenë debati i ndodhur në bashki?
Janë dhunuar zyrat e bashkisë nga përfaqësues të PDIU-së.

Çdo të thotë janë dhunuar, ka pasur të lënduar?
Janë 4 të lënduar që kanë shkuar në spital, me mjete të forta janë dëmtuar.

Ju ku ndodheni tani?
Unë jam tek spitali i Peshkopisë pranë të lënduarve. Kanë disa plagë në kokë që janë dëmtuar me mjete të forta, me shkopa bejsbolli e shufra hekuri.

Si do veproni tani zoti Rama si kryetar i Bashkisë së Dibrës?
Sigurisht ne do ndjekim vetëm anën ligjore. Policia e Dibrës ka qenë në gatishmëri dhe po kryen veprimet hetimore. /BW/