Shpejtësia, alkooli, manovrat e rrezikshme në rrugë, mos rregullimi i shpejtësisë, të gjitha këto në fokusin e punës së Policisë Rrugore përgjatë fundjavës.
Si çdo fundjave tjetër, kanë vijuar kontrollet parandaluese me shërbime të shtuara, me përdorimin e radareve dhe aparateve alkooltestues, në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit, të evidentuara me rrisk për ngjarje rrugore.
Nga konstatimet, evidentohen akoma drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë, duke rrezikuar veten dhe të tjerët, me shpejtësi që variojnë nga 146 km/h – 175 km/h, e mjaftueshme për të shkaktuar tragjedi në rrugë, në rast aksidenti rrugor.
Nga verifikimet ne terren, gjatë dy netëve janë pezulluar 23 leje drejtimi për shpejtesi mbi normat e lejuara, 7 të tjera për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe 5 drejtues mjetesh të arrestuar në kushtet e flagrancës për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe të pa pajisur me leje drejtimi.
Ndërkohë vijojnë kontrollet, në zona dhe rrugë të ndryshme të kryeqytetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.





