Dy automjete janë përplasur pak minuta më parë në bulevardin qendror të Durrësit.

Megjithëse në akset brenda në qytet shpejtësia është e kufizuar, duket se tejkalimi i saj nga ana e njërit prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident, ka shkaktuar përplasjen e forte në bulevardin “Dyrrah”, e cila është dëgjuar në të gjithë zonën.  

Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur për “DurrësLajm”, se fatmirësisht nga aksidenti ka vetëm dëme materiale, por jo persona të lënduar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në bulevardin “Dyrrah”. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës së aksidentit.

Më herët, policia e Durrësit njoftoi për arrestimin në flagrancë të një 32-vjeçari, i cili në gjendje të dehur u përplas me një tjetër mjet, duke lënë të lënduar 3 persona.