Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve numri i bizneseve të reja dhe niveli i të ardhurave kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më parë.

Sezoni turistik duket se ka rezultuar i kënaqshëm të paktën përsa i përket shifrave të servirura nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Durrës. Gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti vetëm në zonën turistike janë hapur rreth 1100 biznese të reja krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po kështu shifra të kënaqshme janë regjistruar edhe në vjeljen e të ardhurave nga organet tatimore.

Kështu shifrat e këtij 7-mujori (janar-korrik) janë 15% më të larta se ato të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë në sektorin e hoteleri-turizmit janë punësuar rreth 4000 punonjës të rinj duke shënuar kështu shifra të kënaqshme edhe në këtë drejtim.

Këto shifra pozitive drejtori i Tatimeve në Durrës, Shkëlqim Fortuzi, i shpjegon me faktin se rajoni i Durrësit mbetet një rajon vital që gjeneron të ardhura edhe në këto kohë kur kriza ekonomike dhe vështirësitë që po kalon biznesi janë prezente thuajse në të gjithë sektorët.

Duket se futja e kasave fiskale dhe lëshimi i kuponëve tatimorë nga ana e të gjithë subjekteve tregtare e jo vetëm ka ulur ndjeshëm informalitetin në ekonominë vendore.

Drejtori Fortuzi theksoi për gazetën “Dyrrah” se,- “rritja në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Durrës konsiston si në shtimin e numrit të bizneseve të reja, në shtimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e të ardhurave krahasuar me një vit më parë. Po t’i referohemi shifrave të 7-mujorit, janar-korrik të këtij viti, janë regjistruar në QKR rreth 1450 biznese të reja, ndërsa kanë aplikuar për pezullim të përkohshëm ose për mbyllje 300 biznese. Krahasuar me një vit më parë janë shtuar rreth 1100 biznese më shumë. Pjesa më e madhe e bizneseve të reja është përqendruar në zonën turistike në fushën e hoteleri-turizmit. Vetëm në zonën turistike gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë shtuar rreth 4000 punonjës të rinj më shumë se një vit më parë. Ndërkohë të ardhurat e 7-mujorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë rreth 15% më lart se një vit më parë”.

Ndërtimi, sektor problematik

Po ndërsa turizmi ka qenë ndër sektorët që ka gjeneruar më shumë të ardhura gjatë kësaj periudhe, sektorë të tjerë po përballen me vështirësi, ku më i prekuri vazhdon të mbetet sektori i ndërtimit.

Një pjesë e mirë e apartamenteve të pallateve të reja ka mbetur pa u shitur duke i ekspozuar firmat e ndërtimit përballë vështirësive financiare të konsiderueshme. Rënia e ndjeshme e kërkesës së qytetarëve për apartamente, ulja e numrit të kredive të akorduara nga bankat, çmimet e larta në sektorin imobiliar, kleringu, por në të njëjtën kohë dhe bllokimi i lejeve të ndërtimit nga ana e KRRT-së Durrës janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në thellimin e krizës në këtë sektor.

Ky fakt pranohet edhe nga drejtori Fortuzi i cili nënvizon se ndërsa sektorë të tjerë kanë shënuar performanca të mira, prej kohësh sektori imobiliar është në vështirësi të konsiderushme. “Ka ngopje me ndërtime dhe kërkesa për apartamente nuk po shënon rritje. Por edhe mos dhënia e lejeve të ndërtimit nga ana e bashkisë së Durrësit ka çuar në gjendje stanjacioni për këtë sektor”,- thotë Fortuzi.

 

1450 biznese të reja janë regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti

1100 biznese të reja të sektorit hoteleri-turizëm janë hapur gjatë këtij viti përgjatë gjithë zonës turistike të qarkut të Durrësit

4000 mijë të punësuar në bizneset e zonës turistike, shifër kjo që ka përmirësuar kënaqshëm treguesit e punësimit

15% më i lartë është niveli i të ardhurave arkëtuar gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve

20% është rritur niveli i eksporteve të industrisë fasone, ndërsa 1000 punonjës të rinj janë përfshirë në skemën e sigurimeve

Kriza ekonomike me të cilën po përballen dy vendet fqinje Italia dhe Greqia, ku është përqendruar numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, dikur blerësit kryesorë të apartamenteve të reja në qytetin e Durrësit apo në zonën turistike, duket se është një faktor më shumë që thellon krizën e sektorit të ndërtimit.

Fasonët

Një sektor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare është industria fasone, e cila regjistron një numër të madh të punësuarish, kryesisht gra dhe vajza. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti në skemën e sigurimeve shoqërore janë shtuar rreth 1000 punonjës të rinj nga ky sektor.

Në të njëjtën kohë drejtori i Tatimeve Shkëlqim Fortuzi konstaton se eksportet nga kjo industri janë rritur me rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Duket se vështirësitë me të cilat po përballej ky sektor vitet e kaluara janë lënë pas. Industria fasone përbën një nga zërat kryesorë përsa i përket eksporteve shqiptare, pasi pjesa më e konsiderueshme e prodhimit të këtyre ndërmarrjeve shkon për eksport dhe vetëm pak për tregun vendas.

Zhvillimi i këtij sektori në të njëjtën kohë ndikon pozitivisht në uljen e numrit të të papunëve, kryesisht gra dhe vajza që përbëjnë pjesën dërrmuese të punonjëseve. Kjo industri gjeneron kryesisht vende pune për femrat me arsim tetëvjeçar apo të mesëm, që e kanë të vështirë të integrohen në tregun e punës për shkak të kualifikimit profesional apo nivelit të ulët arsimor.