Në plazhin e Durrësit vijon intensivisht puna për plugimin dhe dezinfektimin e rërës, ndërsa paralelisht vijohet me fazën e parë të projektit të shëtitores, e cila do të përmbyllet më 15 qershor.
Punimet u inspektuan nga afër paraditen e sotme nga kryebashkiakja Emiriana Sako, e cila premtoi një tjetër sezon të suksesshëm turistik, pas atij të vitit të kaluar, kur Durrësi regjistroi mbi 1 milion turistë.
Për të garantuar një qytet të pastër, në një kohë që popullsia dy-trefishohet për shkak të fluksit të pushuesve, apeli i Sakos kundrejt subjekteve private ishte i qartë.
“Për të gjitha ato subjekte të mëdha, që depozitojnë mbetjet urbane apo inerte jashtë pikave të caktuara, ne do të marrim masa radikale për të mbrojtur sa më shumë mjedisin dhe për të dhënë një shërbim sa më të mirë për qytetarët e Durrësit dhe turistët”,- tha kryebashkiakja.
Ndryshe nga një vit më parë, raporti mes plazheve publike dhe private është 30% me 70% dhe ato do të zbatohen edhe në plazhet e Gjirit të Lalzit apo Sektor Rinia. Për të garantuar sigurinë e pushuesve, sinjalistika detare do jetë e vendosur përgjatë gjithë perimetrit të plazheve.
“Të gjitha subjektet që operojnë në plazhet private do të kenë patjetër kullën e vrojtimit. Meqënëse po flasim për sigurinë e plazhistëve do të kërkojmë që këtë vit subjektet private të kenë të vendosur në det sinjalistikën e bovave për thellësinë e lejuar në bazë të VKM-së”,- deklaroi Sako.
Kthimi i Durrësit në qytetin kampion të turizmit, ka rritur ndjeshëm numrin e subjekteve private që aplikojnë për leje ndërtimi për hotele apo agroturizëm.
“Ne kemi një rritje të numrit të kërkesave për të ndërtuar hotele, ndryshe nga 10 vite më parë, kur kërkesa kryesore ishte për të ndërtuar pallate apo apartamente për shitje, pra për biznes. Kemi një numër në rritje edhe të agroturizmave që shtrihen kryesisht në njësitë administrative si Manzë, Ishëm etj”,- tha kryetarja e bashkisë.
Në Durrës aktualisht operojnë mbi 170 subjekte hoteliere, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i pushuesve nga trevat shqiptare jashtë kufinjve akomodohen në dhoma me qira ditore apo javore.
M.B.