Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, tragetet e linjave kanë transportuar më shumë udhëtarë, më shumë mallra dhe më shumë automjete se sa në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Sektori i statistikave të APD-së, bën me dije se tragetet janë shfrytëzuar nga 268.715 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj gjithsej, një shifër 22 për qind më e lartë se sa 6-mujori i parë i vitit të kaluar.
Tragetet kanë transportuar gjithashtu 383.176 tonë mallra, ose rreth 10 mijë tonë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit paraardhës.
Në 6 muajt e parë të këtij viti, tragetet kanë kryer 490 lundrime gjithsej në linjat Durrës – Bari, Durrës – Ankona, Durrës – Trieste dhe kthim, ose 50 lundrime më shumë se në periudhën janar – qershor 2015.
146.754 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Italisë, duke shënuar një rritje prej 17 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Numri i udhëtarëve në hyrje ka pësuar një rritje të dukshme, duke arritur në 121.691 vetë, ose 28 për qind më shumë se në 6 muajt e parë të vitit 2015.
Nga statistikat mësohet se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 19 për qind, ndërsa rritja e shifrave të udhëtarëve të huaj arrin në 32 për qind.
Rritje prej 32 për qind është shënuar edhe në transportin e autoveturave, numri i të cilave në 6 muaj ka arritur në afro 50 mijë. Gjatë këtij 6-mujori, tragetet kanë transportuar edhe mbi 33 mijë kamionë dhe trajlera.





