Biznesmeni nga Durrësi Gentian Malindi, i shpallur në kërkim policor pas operacionit “Kuito”, ku u sekuestruan 137 kg kokainë nuk është emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Katër vite më parë, më 17 nëntor të vitit 2015, ishte vetë ai që ngriti një padi ndaj Policisë Kufitare, duke pretenduar se i ka shkaktuar dëm ekonomik e moral pasi në mënyrë të përsëritur i dërgonte qen antidrogë duke i bërë kontrolle të befasishme në anijen e tij të peshkimit (lexo këtu: Pronari i anijes së peshkimit padit policinë kufitare: Po më shkatërrojnë biznesin!)
Në një intervistë për "DurrësLajm" asokohe, Malindi tregonte:
“Para se të dilnim në det, u bë kontrolli rutinë nga punonjësit e policisë kufitare. Nuk jemi kundër ligjeve. Pasi përfunduan kontrollin na u dha leja për gjueti. Katër marinarë dolën, dhe pasi kishin lundruar për një orë në det të hapur, dy skafe të policisë kufitare kanë rrethuar anijen dhe i kanë kërkuar të kthehet në port. Sapo u kthye anija, me qen antidrogë dhe një numër i madh policësh janë futur në anije. Vetëm pamja ishte e tmerrshme. Nuk e di pse po veprojnë kështu, por janë 2 ose 3 anije gjithsej që po persekutohen në këtë mënyrë. Është kosto për ne, dhe policia u mjaftua vetëm me një 'Na falni për kontrollin'”.
Në videon më poshtë, intervista e Gentian Malindit për "DurrësLajm".





